Hapen vende të reja të punës në Ferizaj

Ferizaj

Hapen vende të reja të punës në Ferizaj

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 15:27
Pamje nga takimi

Komuna e Ferizajt dhe kompania “Aldi Copan” kanë nënshkruar të mërkurën një kontratë, në bazë të së cilës, komuna, kësaj të fundit i ka dhënë në shfrytëzim pronën komunale në Babush, për vendosjen e kapaciteteve të saja prodhuese. Bëhet e ditur se vlera investive e kësaj kompanie do të arrijë shumën e 2.1 milion eurove, ndërsa me këtë u tha serë do të hapën mundësitë edhe për hapjen edhe të 80 vendeve të reja të punës.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje me këtë kompani, i pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se kjo kompani i ka përmbushur të gjitha kushtet për të qenë përfituese e pronës komunale. Madje ka shtuar se kapacitetet e saja prodhuese do të orientohen në prodhimin e fasadës strukturale, një produkt i cili deri më tani është siguruar nga importi.

“Ky produkt deri më tani në vendin tonë është siguruar nga prodhuesit e huaj, në të shumtën e rasteve nga tregu i Turkisë, Kinës etj, ndërkaq tanimë po vendosim bazat e një zhvillim të biznesit me këtë veprimtari të rrallë por shumë dobiprurëse e cila sigurisht do të jetë konkurrente në baza të planit të biznesit edhe për tregun e rajonit edhe më gjerë, ndoshta edhe për shtetet e zhvilluara të Evropës perëndimore, meqë kemi të bëjmë me një investim prej 2,1milion eurove i cili do të filloi pas nënshkrimit të kësaj kontrate dhe i cili do të monitorohet në bazë të Ligjit nga zyrtarët e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, të cilët edhe kanë udhëhequr të gjitha procedurat deri në aktin e nënshkrimit të kësaj kontrate”, ka thënë Svarqa.

Për më tepër kryetari Svarqa, pronarit të kësaj kompanie i ka dëshiruar sukses, duke besuar se do t’i përmbahet kontratës dhe do t’i punësoi atë numër të punëtorëve të paraparë prej 60-80 punëtorë.

Në anën tjetër edhe pronari i kësaj kompanie, Xhemshi Luri, e ka vlerësuar këtë marrëveshje, duke thënë se pikat e kontratës janë kompatibile me kërkesat dhe planet e kësaj kompanie.

“Besoi se janë, duke marrë parasysh që janë mundësitë dhe besoi se do t’ia dalim me miq, me komunën,me bankat dhe me një punën time që kam bërë, besoi se do ja dalim” ka thënë Luri.

Duke u ndërlidhur me këtë, kryetari Svarqa, ka thënë se beson në suksesin e kësaj kompanie, ndërsa në të kundërtën sipas tij, do ta ketë fatin e kompanive tjera të cilave ju ka ndërprerë kontrata. Ai, ka paralajmëruar, se shumë shpejt do të fillohet me aplikimin e fletëgarancioneve si mjet garance për të gjithë ata që janë përfitues të këtyre pronave me procedura ligjore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat