Vendoset gurthemeli i shkollës në fshatin Komogllavë

Ferizaj

Vendoset gurthemeli i shkollës në fshatin Komogllavë

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 15:27
Gurthemeli i shkollës në fshatin Komogllavë

Nxënësit dhe arsimtarët e SHFMU-së “Besim Rexhepi” në Komogllavë,  i janë gëzuar sot fillimit të punimeve në ngritjen e objektit të ri shkollor. Në ceremoninë e organizuar, mori pjese kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, deputete të Kuvendit të Kosovës, nxënës, mësimdhënës, banorë të këtij fshati si dhe mysafirë të tjerë.

Me këtë rast është thënë se objekti i ri shkollor do t’u ofroj kushte ideale për punë. Këtë projekt e kanë vlerësuar drejtues të pushtetit lokal të Ferizajt, por edhe drejtori i kësaj shkolle duke thënë se me këtë po përmbushet një synim i kahmotshëm për ta pasur një objekt në të cilin procesi mësimor do të zhvillohej vetëm me një ndërrim

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë fillimisht se me kohë janë vlerësuar nevojat për të investuar në këtë lokalitet dhe ky gurthemel ka ardhur si produkt i mungesës së hapësirave shkollore, të cilat nuk i ka plotësuar shkolla e vjetër për të qenë mësimi një ndrrimësh. Madje ka shtuar se shuma investive për këtë fazë të këtij projekti është 500 mijë euro.

 “Ky investim po bëhet në njërin ndër fshatrat më të mëdha të Ferizajt , i cili ka dhënë shumë për komunën e Ferizajt dhe për kombin në përgjithësi. Por, në të njëjtën kohë tash duke qenë përmbushës i obligimeve ndaj shtetit natyrisht që është edhe përfitues i investimeve nga shteti, sepse këtu përveç kësaj shkolle që ka një kapacitet prej 1500 metrash katror hapësirë shkollore sipas projektit dhe 850 metra katror të sallës së sportit ka pasur edhe investime të natyrave të ndryshme” , ka thënë Svarqa, teksa ka shtuar se përfitime ky fshat ka pasur edhe nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës.

”Projekte kapitale që madje tejkalojnë caqet investive vetëm në komunën e Ferizajt por edhe kalojnë edhe në komunën e Vitisë, dhe përmes këtij fshati lidhen të dyja komunat tona. Po ashtu kanë filluar investimet në rregullimin dhe asfaltimin e 19 rrugicave në këtë fshat që në përgjithësi kapin shumën investive nga të dyja nivelet rreth 2.5 milion euro, që tregon për domosdoshmërinë e këtyre investimeve dhe për harresën që i është bërë investimeve në këto 17 vite pas luftës” ka nënvizuar Svarqa.

Në anën tjetër edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Muhamet Halili, me këtë rast ka shpalosur planet investive në fushën e arsimit për vitin e ardhshëm duke thënë se pushteti ka planifikuar edhe ngritjen e disa objekteve shkollore, përfshirë edhe një shkollë të mesme.

 “Komuna e Ferizajt po bëhet një qendër arsimore me objekte moderne duke pasur parasysh edhe shkollën artistike, të shkollës së artit, të shkollës së sporteve. Ne kemi planifikuar që brenda një periudhe 5-10 vjeçare të gjitha shkollat në komunë do të bëhen me një ndërrim”, ka thënë Halili.

Ngritja e këtij objekti shkollor sipas drejtuesve të shkollës ka qenë mese e nevojshme ngase me këtë projekt po jetësohet një synim i shumëpritur.

Drejtori i shkollës, Selim Qazimi, ka thënë se shkolla aktuale nuk i plotëson kushtet për funksionim normal të mësimit.

”Një numër i madh i klasave në këtë shkollë janë të adaptuara dhe nuk i plotësojnë kushtet për një mësim cilësor dhe bashkëkohor. Kjo ka qenë arsyeja që ne si kolektiv dhe strukturat e fshatit gjithmonë kanë qenë të angazhuare që të kemi një objekt të ri shkollor, ja që sot po fillon dhe të gjithë jemi të gëzuar”, ka thënë Qazimi.

 Ndryshe ky projekt i komunës është tre vjeçare dhe do të jetë me të gjitha objektet përcjellëse.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat