INPO në Ferizaj kërkon zgjedhje të reja për përfaqësues të bashkësive lokale

Ferizaj

INPO në Ferizaj kërkon zgjedhje të reja për përfaqësues të bashkësive lokale

Më: 16 dhjetor 2016 Në ora: 15:24
INPO në takim informues dhe koordinues me kryetar dhe përfaqësues të fshatrave të komunës së Ferizajt

INPO në emër të përfaqësuese të Bashkësive lokale, ka deponuar kërkesë në zyrën e kryetarit të komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, për organizimin e zgjedhjeve të reja në bashkësitë lokale të komunës së Ferizajt.

Kjo kërkesë u adresua pas një konsultimi dhe koordinimi të plotë me përfaqësues të fshatrave dhe bashkësive lokale në Komunën e Ferizajt.

Më 14 dhjetor 2016, INPO ka mbajtur një takim informues dhe koordinues me kryetar dhe përfaqësues të fshatrave të komunës së Ferizajt rreth rëndësisë së funksionalizimit të këshillave fshatrave dhe bashkësive lokale. Në këtë takim u diskutua rreth statusit të kryetarëve aktual të fshatrave dhe bashkësive lokale si dhe për problemet dhe sfidat me të cilat përballen ata.

Diskutimi u fokusua tek nevoja e organizimit të zgjedhjeve të reja për zgjedhjen e këshillave dhe kryetarëve të fshatrave dhe bashkësive lokale, meqë procesi i kaluar i zgjedhjeve kishte mbetur në gjysmë dhe nuk ishte përfunduar. Pjesëmarrësit ripotencuan kërkesën e tyre për organizimin e zgjedhjeve për bashkësi lokale, fshatra dhe lagje urbane në komunën e Ferizajt, meqë në bazë të akteve normative që rregullojnë themelimin, funksionalizimin dhe bashkëpunimin e bashkësive lokale me organet komunale, këto këshilla dhe kryetarët aktualë të tyre nuk janë legjitimë.

Në fund të takimit përfaqësuesit e bashkësive lokale ranë dakord që në bashkëpunim me INPO-n, të shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat ligjorë dhe institucional për realizimin e kërkesave të tyre. 
Ndërsa, sot INPO-ja ka deponuar kërkesë në zyrën e kryetarit të Komunës z.Muharrem Svarqa, për organizimin e zgjedhjeve të reja në fshatra, vendbanime dhe lagje urbane të komunës së Ferizajt.

Këto aktivitete u realizuan në kuadër të projektit “Programi për Qeverisje të Mirë”, objektiv i së cilit është fuqizimi i Bashkësive Lokale në procesin e vendimmarrjes.

“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).”/BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat