Rektori Bajraktari po qëndron në vizitë zyrtare në SHBA

Ferizaj

Rektori Bajraktari po qëndron në vizitë zyrtare në SHBA

Më: 23 mars 2017 Në ora: 19:42
Pamje nga takimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, po qëndron në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sot ka vizituar Universitetin “James Madison” në Harrisonburg të Virginias.

Gjatë kësaj vizite, rektori Bajraktari është pritur nga rektori Jonathan R. Alger me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin mes dy universiteteve, sidomos në fushën e mobilitetit të stafit akademik dhe të studentëve.

Bajraktari foli për veprimtarinë e UShAF si universiteti më i ri publik në Kosovë dhe i vetmi i shkencave të aplikuara, andaj theksoi se një bashkëpunim me Universitetin “James Madison” është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e këtij universiteti.

“Përvoja amerikane është e mirëseardhur për universitetin tonë dhe është e një rëndësie të veçantë, sepse do t’i kontribuojë në masë të madhe zhvillimit të UShAF. Por, bashkëpunimi me universitetin tuaj është edhe një ndihmë e madhe për të rinjtë nga Kosova që studiojnë shkencat e aplikuara, në mënyrë që tregu i punës për ta të jetë i hapur jo vetëm në vendet evropiane, por edhe në SHBA”, tha ai.

Rektori Bajraktari e ftoi rektorin Alger që ta vizitojë Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në qershor të këtij viti, ku edhe do të bëhet edhe konkretizimi i bashkëpunimit mes dy universiteteve.

Ndërsa, në takimin që ka pasur rektori Bajraktari me zv/rektorin e këtij universiteti amerikan, Jerry Benson, ka biseduar më konkretisht për format e bashkëpunimit dhe për procedurat e mëtutjeshme të zhvillimit të këtij bashkëpunimi.

Rektori Bajraktari u takua edhe me dekanët e “Collage of Businnes”, Mary A. Gowman, Robert A. Kolvoord – Collage of Integrated Science and Engineering, si dhe me drejtorin Micheal O’Fallon - Hart School of Hospitality, Sport and Recreaction Managment, me të cilët ka biseduar për rritjen e cilësisë dhe bashkëpunimit me ndërmarrje, si dhe për rolin e tyre në përgatitjen e studentëve sa i përket anës praktike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat