Veseli: Fillimi i ri ka prioritet gratë dhe të rinjtë

Ferizaj

Veseli: Fillimi i ri ka prioritet gratë dhe të rinjtë

Më: 21 maj 2017 Në ora: 19:13
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në Ferizaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë nga komuna e Ferizajt.

Me këtë rast ai ka thënë se fillimi i ri i jep përparësi dhe ka prioritet  gruan  dhe të rinjtë.

I pari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se ka biseduar me shumë të rinj të cilët kanë paraqitur problemet me të cilat ata përballen. E për të gjitha këto probleme ai tha se kanë ndodhur për shkak të mungesës së një lidershipi të vendosur e vendimmarrës. 

Veseli: Vendi po ngec për mungesë lidershipi

“Vendi jonë po ngecë në krijimin e vendeve të reja të punës, se vendi jonë po ngecë në zhvillimin e fuqishëm ekonomik, se vendi ynë po ngecë në integrimin në bashkimin evropian, lëvizje të lirë dhe integrime në NATO. E gjitha kjo ishte për arsye se nuk kishim një lidership të vendosur dhe vendimmarrës për të dërguar proceset përpara. Mënyra për të realizuar këto qëllime të cilat janë edhe të rinisë, por edhe të qytetarëve tanë”, tha ai.

Veseli tha se fillimi i ri në veçanti i jep përparësi gruas dhe vajzave për shkak se nuk ka mundësi të ecet përpara pa përfaqësimin e fuqishëm gjinor.

Veseli: Fillimi i ri, koncept i transformimit të madh ekonomik

“Fillimi i ri është koncepti i transformimit të madh ekonomik të Kosovës, industrializimit të vendit tonë, një bujqësi intensive me të cilën fermerët edhe ndihmohen por në të njëjtën kohë ndihmohet edhe vetë Kosova përmes prodhimeve të tyre në të njëjtën kohë edhe punësimit të rinisë sonë. Fillimi i ri i cili në veçanti i jep përgjegjësi dhe prioritet gruas dhe të rinjve. Ripërsëris edhe njëherë, rini e mrekullueshme përparësi do të jepni vajzave dhe grave tona, për arsye se nuk ka mundësi të ecet përpara në konceptin e një Kosove moderne, Kosova perëndimore pa e pasur përfaqësimin e fuqishëm gjinor. Në të njëjtën kohë një fillim i ri i një koncepti për një rini të cilës jo vetëm se i gjejmë vende pune, por në të njëjtën kohë vetëm rinia me idetë e veta kreative krijon vende pune”, tha ai.

Kurse, ministri në largim i Bujqësisë, Memli Krasniqi, tha se gjatë bisedave që kanë bërë me të rinjtë,  një nga brengat e tyre ka qenë mungesa e lëvizjes së lirë.

Krasniqi: Lëvizja e lirë, brenga më e madhe e të rinjve

“Një nga brengat më të mëdha të cilat na i kanë shprehur në çdo takim është lëvizja e lirë. Sot fatkeqësisht të rinjtë tanë janë të privuar nga kjo e drejtë themelore të cilën e kanë pothuajse secili banor i Evropës tashmë dhe këto nuk janë të vetmet probleme por janë ndoshta 5 temat qendrore të cilat i kemi identifikuar”, tha ai.

Sipas tij kjo është arsyeja pse rinia, problemet e tyre janë në katër shtyllat themelore të programit në Fillimin e Ri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat