Mbi 1 milion euro më shumë për investimet kapitale në Ferizaj

Ferizaj

Mbi 1 milion euro më shumë për investimet kapitale në Ferizaj

Më: 19 qershor 2017 Në ora: 13:55
Komuna e Ferizajit

Udhëheqës të Kuvendit të Komunal dhe qeverisjes komunale në Ferizaj kanë mbajtur të hënën tubim publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) të periudhës 2018-2020.

Ndonëse pjesëmarrja e qytetarëve ishte simbolike, përfaqësues të ekzekutivit komunal kanë shpjeguar se ky është vetëm fillimi i hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, ndërsa sipas tyre ka mundësi edhe më tutje të bëhen ndryshime në këtë dokument.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Faruk Guri, ka shpjeguar se Korniza Afatmesme Buxhetore është mjaft e rëndësishme për qytetarët, ngase sipas tij aty do të jenë projektet e viteve të ardhshme, ndërsa edhe rritja e buxhetit për disa kategori do të jetë mjaft e dobishme.

“Ne kemi dashur që përmes këtij diskutimi publik të marrim mendime dhe kërkesa nga ana e qytetarëve për investimet që e shohin të rëndësishme ata të projektojmë. Ky dokument do të jetë edhe në mbledhjen e Kuvendit, prandaj sugjerimet janë të mirëseardhura”, ka theksuar Guri.

Ndërsa, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Lirie Syla, ka bërë me dije se Ferizaj në vitin 2018 do të ketë një buxhet deri në 28 milionë euro. Ajo ka thënë se vetëm tek investimet kapitale është planifikuar rritje për 1 milion e 100 mijë euro më shumë se në vitin e kaluar. Korniza Afatmesme Buxhetore për vitin 2018-2020 pritet te diskutohet dhe të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit sipas udhëzimeve që janë dhënë nga Ministria e Financave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat