Komuna e Ferizajt rikthen në punë të dënuarin për marrje të ryshfetit

Ferizaj

Komuna e Ferizajt rikthen në punë të dënuarin për marrje të ryshfetit

Më: 2 korrik 2017 Në ora: 16:40
Komuna e Ferizajt

Komuna e Ferizajt ka rikthyer në vendin e tij të punës përgjegjësin për mbrojtjen e pyjeve në Drejtorinë për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Ferizajt, Muhamet Kalanica, ani pse i njëjti dy herë është shpallur fajtor për marrje ryshfeti nga Gjykata Themelore në Ferizaj - Departamenti për Krime të Rënda. Kalanica është rikthyer në vendin e tij të punës me vendim të Komisionit disiplinor.

Herën e parë ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 muaj, i cili dënim konform nenit 38 par.3 të KPK-së i zëvendësohet me dënim me gjobë, në lartësi prej një mijë euro. Herën e dytë është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muaj dhe me dënim me gjobë prej 400 euro.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare AVONET, Kenan Gashi, ka thënë se kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me atë që Komuna e Ferizajt ka rikthyer në punë zyrtarin i cili është dënuar dy herë për marrje ryshfeti.

Gashi: Komuna e Ferizajt ka rikthyer zyrtarin për marrje ryshfeti

“Komuna e Ferizajt ka rikthyer zyrtarin për marrje ryshfeti, i cili dy herë Gjykata Themelore e Ferizajt ka nxjerrë si fajtor, pra e ka shpallur fajtor, në vitin 2015 dhe në vitin 2017. Tashmë ai zyrtarë është kthyer në vendin e tij të punës edhe pse dy veprat janë shqiptuar me dënim dhe me burg efektiv. Tashmë ai zyrtarë është në punë dhe është duke vijuar sikur një punëtorë që ka bërë një vepër shumë të thjeshtë apo ndonjë shkelje procedurale. Tashmë ai punon edhe pse ai drejtpërsëdrejti është zënë nga Policia e Kosovës, njësiti për krime ekonomike duke marrë ryshfet nga një qytetarë i komunës së Ferizajt”, tha ai.

Këtë veprim të Komunës së Ferizajt, Gashi, e quan si shumë shqetësuese për faktin se edhe organizatat ndërkombëtare vazhdimisht i bëjnë presion Kosovës që të bëjë parandalimin dhe luftimin e zyrtarëve të tillë.

Gashi: Jemi duke ju dhënë mundësi këtyre zyrtarëve të korruptuar  që marrin ryshfet

“Përderisa zyrat ndërkombëtare, ambasadat ndërkombëtare bëjnë presion Kosovës që të bëhet parandalimi dhe luftimi i zyrtarëve të tillë, të kësaj dukurie, ne në të kundërtën në këtë institucion jemi vetëm mundësi duke ju dhënë këtyre zyrtarëve të korruptuar  që marrin ryshfet drejtpërsëdrejti që punojnë në këtë nivel. Edhe pse e dimë që BE ka vendos kriter karshi Kosovës për ta luftuar edhe parandaluar këtë dukuri të tillë tek zyrtarët institucional”, tha ai.

Ndërsa, Gazmend Bytyqi, shef i grupit të PDK-së në Asamblenë komunale në Ferizaj, ka thënë se nuk është hera e parë që Komuna e Ferizajt funksionon me këtë mentalitet sidomos me shkeljen e ligjit.

Bytyqi: Nuk është hera e parë, kryetari i komunës funksionon me këtë mentalitet

“Është e vërtetë, është fjala për një pylltarë i cili ka qenë i dënuar dhe ka dy aktvendime të gjykatës së nivelit të parë dhe të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë. Kryetari i Komunës ka marrë një vendim që ta rikthej në punë pa e respektuar edhe ligjin për shërbyesit civil. Nuk është hera e parë, kryetari i komunës funksionon me këtë mentalitet sidomos me shkeljen e ligjit. Prandaj, nuk e merr as për bazë vendimin e gjykatave apo njerëzve të korruptuar në Komunën tonë”, tha ai.

Bytyqi tha se kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për këtë çështje gjatë seancave të kuvendit komunal.

Bytyqi: Ne në kuadër të seancave të kuvendit komunal kemi shprehur pakënaqësitë tona

“Ne në kuadër të seancave të kuvendit komunal kemi shprehur vazhdimisht pakënaqësitë tona për të gjithë këto çështje, fundja nivelet e marrjes së vendimeve janë nëpër gjykata dhe kryetari i komunës, është obligim i tij që të respektojë këto vendime të gjykatës. Ne si kuvend nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë, veçse ti njoftojmë qytetarët se çfarë është duke ndodhur me qeverisjen e këtij kryetari të Komunës”, tha ai.

KossovaPress ka provuar të marrë një qëndrim të kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, por i cili nuk ka pranuar të flas para kamerës. Po i njëjti ka thënë se ai nuk e ka kthyer në punë këtë zyrtar por komisioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat