PDK me gjashtë pika programore për zhvillim ekonomik në Ferizaj

Ferizaj

PDK me gjashtë pika programore për zhvillim ekonomik në Ferizaj

Më: 3 tetor 2017 Në ora: 13:27
Konferenca e PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës në kuadër të platformës për zhvillim ekonomik për Komunën e Ferizajt ka paraparë gjashtë pika programore.

Në këtë program parashihet subvencionimi i bizneseve me mjete monetare, subvencionimi i kamatave që do të marrin bizneset nga bankat komerciale, vazhdimi i krijimit të zonave të reja ekonomike, funksionalizimi i zonave ekzistuese, hartimi i projekteve detale për bizneset e Ferizajt, si dhe krijimi i parkut teknologjik rajonal në Ferizaj.

Mbështetje të plotë për realizim të këtyre premtimeve kandidatit të PDK-së i dha Kreu i PDK-së, Kadri Veseli. Ai tha se Agim Aliu do të jetë pranë ndërmarrësve të komunës së Ferizajt dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të kësaj komunë.

Veseli i ofroi mbështetjen e tij Agim Aliut, por edhe të Qeverisë së Kosovës për të gjitha projektet të cilat do ti bëjë për komunën e Ferizajt.

Veseli: Brenda dy viteve do të përfundoj ndërtimi i spitalit të Ferizajt

“Brenda dy viteve të para do të përfundoj, nuk po them do të nis, por brenda dy viteve të para të qeverisjes së Agim Aliut do të përfundoj spitali të cilin e meriton Ferizaj. Ferizaj në kohën e luftës së UCK-së ka qenë pothuajse qendra kryesore medicionale e trajtimit dhe mjekimit të bashkëluftëtarëve tanë të UCK-së. Agim Aliu ka vizion, ka dëshirë, ka synim, e donë Ferizajn, Agim Aliu nuk vjen në Ferizaj për të shijuar kolltukun e kryetarit të komunës, Agim Aliu dëshiron të punoj për çdo qytetar që nga fëmijët deri tek pleqtë në komunën e Ferizajt dhe do ta ketë përkrahjen time të plotë dhe do ta ketë përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kandidati për Kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, tha se për mbështetje të bizneseve do të krijojë një fond nga buxheti i Komunës së Ferizajt.

Aliu: Pika e parë është subvencionimi i bizneseve me mjete monetare

“Dy pikat programore të cilat janë të veçanta dhe të cilat do i theksoj këtu janë subvencionimi i bizneseve me mjete monetare. Sigurisht se edhe biznesi ku jemi këtu ka nevojë dhe ne do e mbështesim pikërisht bizneset e tilla dhe shembuj të tillë të suksesshëm të biznesit ne do ti mbështesim nga ky fond. Ky fond është fond që është krijuar dhe do të krijohet nga buxheti i Komunës së Ferizajt, nga buxheti i të hyrave vetanake. Pika e dytë e programit tim ekonomik që e kam ndërtuar me ekipin profesional është subvencionimi i kamatave që do të marrin bizneset nga bankat komerciale. Pikërisht, do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për bizneset që të marrin kreditë në bankat komerciale ne do të bëjmë kushte të veçanta për bankat komerciale në mënyrë që ato kushte pikërisht të ju përshtaten bizneseve”, tha ai.

Ai tha se këto dy pika programore të cilat duke u bashkuar në sintezë e përbëjnë fondin e punësimit.

Pretendenti për të parin e Ferizajt, Agim Aliu, gjithashtu premtoj se do të hapin një zyrë të zhvillimit ekonomik, e cila sipas tij do të jetë në katin përdhes të komunës dhe se do të jetë një zyre transparente për bizneset dhe për qytetarët e kësaj komune.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat