Dëmet nga të reshurat, premtohet kompensim për fermerët

Ferizaj

Dëmet nga të reshurat, premtohet kompensim për fermerët

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 16:42
Hashim Thaçi së bashku me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu gjatë ditës së sotme nga afër kanë mbikëqyrur korrje-shirjet në fshatin Prelez të Jerlive.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu gjatë ditës së sotme nga afër kanë mbikëqyrur korrje-shirjet në fshatin Prelez të Jerlive.

Me këtë rast kreu i vendit u shpreh optimist se korrje-shirjet këtë vit do të shkojnë mbarë pavarësisht motit, derisa theksoi se do t’i kompensojnë dëmet e fundit që reshjet e shiut iu shkaktuan fermerëve.

Thaçi: Dëmet e shkaktuara fermerëve nga reshjet do t’u kompensohen

“Si institucione të vendit, si president i vendit e kam parë të udhës që të gjithmonë pranë tyre në mbështetje të tyre për t’i plotësuar nevojat dhe kërkesat e gjithë fermerëve dhe bujqve të Kosovës. Është shumë me rëndësi që sivjet rendimente janë të mira, janë të standardit edhe të viteve të kaluara pavarësisht të reshjeve por edhe  ata që kanë pësuar nga reshjet do të punojmë që si institucione të vendit tu kompensohen ato dëme”, u shpreh Thaçi.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu u shpreh se komuna që ai drejton,  me qëllim të zhvillimit të bujqësisë, do të mbështesin fermerët përmes subvencioneve. Ai tha se këtë vit rreth 4 mijë hektar tokë janë mbjellë me grurë,  duke  siguruar kështu 70 për qind të konsumit të qytetarëve.

Aliu: Do t’i mbështesim fermerët

“Këta fermerë përmes kësaj vizite të presidentit, por edhe vizitave të tjera dhe konsistencës së mbështetjes së Qeverisë, edhe lokale, tregon më së miri se ne jemi të përkushtuar që të mbështesim fermerët, bujqësinë dhe pavarësisht faktit se ndonjëherë gjenden në vështirësi edhe të paparashikuara që ka ndodhur zakonshëm nga kushtet klimatike e që Ferizaj fatkeqësisht në krahasim dhe dallim nga komunat tjera të Republikës së Kosovës është goditur më së shumti”, ka thënë Aliu.

Ndërsa, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi u shpreh se së shpejti do të fillojë kompensimi i fermerëve për dëmet e fundit të shkaktuara nga reshjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat