Ferizaj kthen në pronësi 334 hektarë truall

Ferizaj

Ferizaj kthen në pronësi 334 hektarë truall

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 14:48
Agim Aliu

Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, komuna e Ferizajt, përkatësisht kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu sot ka pranuar vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj që komunës t’i kthehen pronat e menaxhuara deri më tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në pronësi komunale në një sipërfaqe të përgjithshme prej 334 hektarë e 41 ari e 46m2.

Ky vendim vjen pas kërkesës së parashtruar nga i pari i Ferizajt, Agim Aliu që Ferizaj t’i kthehen pronat e menaxhuara deri më tani nga AKP në prona komunale, me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik lokal dhe aplikimit të projekteve të ndryshme zhvillimore për Ferizajn gjithmonë në interesin publik.

“Ky vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjegjësisht Kryeministrit Haradinaj, pasuron jashtëzakonisht shumë Komunën e Ferizajt, e cila ndër vite është ballafaquar me mungesë të trojeve në të cilat do të mund të shtriheshin investime të ndryshme publike dhe projekte me impakt rritjen ekonomike lokale. Përfundimisht, me kaq hapësirë të madhe të kthyer në pronësi komunale, Ferizaj përfundimisht zgjidh problemin me mungesat e deritanishme të parcelave dhe krijon mundësinë e një planifikimi afatgjatë të projekteve, nismave dhe investimeve publike në këto hapësira”, thuhet në njoftimin për media të zyrës për informim të komunës së Ferizajt.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, citohet të ketë  falënderua kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe gjithë Qeverinë e Republikës së Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme me projekte të ndryshme, e veçanërisht për vendimin e fundit, këtë të kthimit në pronësi komunale të pronave të menaxhuara deri më tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, që i shton aseteve komunale, pasurisë komunale vlerë të jashtëzakonshme dhe inkurajon nisma zhvillimore në gjithë territorin e Ferizajt. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat