Ndërpritet kontrata për rregullimin e sheshit të Ferizajt

Ferizaj

Ndërpritet kontrata për rregullimin e sheshit të Ferizajt

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 18:23
Ferizaj

Ndër temat që më së shumti u diskutua që nga fillimi i mandatit qeverisës të kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, ishte edhe moskryerja e punimeve në rregullimin e sheshit para Komunës.

Ndonëse, ky projekt ishte trashëguar nga ish pushteti, rrjedhimisht edhe problemet që kanë derivuar gjatë kësaj kohe janë lënë në atë gjendje nga ish pushteti, qytetarët kërkuan nga qeverisja e tanishme ndërmarrjen e hapave për finalizimin e tij.

Siç njofton Komuna e Ferizajt, me insistimin e të parit të Ferizajt, Agim Aliu që të përfillen të gjitha procedurat e nevojshme për kryerjen apo ndërprerjen e këtyre punimeve dhe kujdesin e shtuar në mosdëmtimin e buxhetit komunal në procedura gjyqësore, ky projekt i papërfunduar, përfundimisht sot po merr drejtimin e duhur.

Komuna e Ferizajt, njofton qytetarët dhe gjithë grupet e interesit se Zyra e Prokurimit ka arritur Marrëveshjen për ndërprerjen e kontratës me operatorin ekonomik “BENI COM” nga Prishtina, kontratë që ka të bëj me rregullimin e qendrës së qytetit – faza e dytë, segmenti 1, 2 dhe 3, projekt tre vjeçar. Kjo marrëveshje vjen si rezultat i kërkesës së operatorit ekonomik “BENI COM”, të cilët me kërkesën-njoftimin e datës 24.07.2018 kanë kërkuar prerjen e punimeve dhe ndërprerjen e kësaj kontrate. Tutje, komisioni i përbashkët me datën 07.08.2018 kanë verifikuar punimet e kryera sipërfaqësore në pjesën e segmentit të dytë dhe në sipërfaqen e tërësishme në segmentin 3, ndërsa në segmentin 1 është konstatuar se nuk është kryer asnjë punë. Në raportin përfundimtar të këtij komisioni konstatohet kjo gjendje dhe bëhet prerja e punimeve. Përkitazi me veprimet e mëtutjeshme për këtë zonë, Komuna e Ferizajt, do t’ iu njoftoj me kohë. Qytetarët e Ferizajt shumë shpejt nuk do të kenë këtë pamje që kanë sot të “gropës” para objektit të Komunës dhe defekteve të tjera përgjatë gjithë sheshit. Qeverisja e re lokale është e vendosur në realizimin e veprave infrastrukturore cilësore që qytetarëve të komunës sonë t’i ofrohet qasje, lehtësi qarkullimi dhe shesh ashtu siç meriton të jetë sheshi qendror i Ferizajt – qendrës së dytë më të zhvilluar ekonomikisht në rang republikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat