Bashkimi i Qytetit i jep dimension të ri Ferizajt

Ferizaj

Bashkimi i Qytetit i jep dimension të ri Ferizajt

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 16:58
Ilustrim

Në qytetin e Ferizajt sot kanë nisur punimet në nënkalimin kryesor për realizimin e projektit “Bashkimi i Qytetit”, i cili pritet të ofrojë siguri më të madhe për qytetarët.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli  tha se Kosova po ecë vendosmërisht në rrugëtimin e saj evropiane, duke u bërë thirrje të rinjve të qëndrojnë në Kosovë dhe ta bëjmë bashkë ndryshimin.

Veseli: Ky projekt i jep dimension të ri Ferizajt

“Ky projekt shumë shpejt do të jetë i realizuar për qytetarët e komunës së Ferizajt,  i jep një dimension të ri qytetit të Ferizajt, zhvillim, perspektivë, i jep një dimension të ri edhe sigurisë fëmijëve tanë por edhe pleqve dhe të moshuarve. Kosova jonë po ndryshon siç po ndryshon Ferizaj, por ecim me vendosmëri përpara në rrugëtimin tonë perëndimor, rrugëtimin tonë evropian, rrugëtimin tonë të cilin e kemi amanet edhe nga ata të cilët kanë rënë dëshmor”, u ka deklaruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u premtoi ferizajasve se në plan të afërt kanë edhe projekti për ujëmbledhësin e Lepencit.

Haradinaj: Ne do vazhdojmë me vizion të përbashkët për integrim në BE dhe NATO

“Ferizaj është një qytet që ka një veprimtari të madhe ekonomike, ka shumë taksapagues, kompani që iu bëjnë nder juve në Kosovë e më gjerë, dhe më vjen mirë që po kthehet taksat e tyre. Ne do të vazhdojmë këtë vizion bashkë se për ata jemi edhe bashkë kështu, edhe si partner politik që sa më shpejt, pra të jemi anëtarë të BE-së, pra të paktën statusin e kandidatit ta kemi, të bëheni edhe anëtar i NATO-s me ushtrinë tonë modeste dhe kësisoj askush prej të rinjve tanë mos të ketë nevojë ta lëshojë vendin", tha Haradinaj.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu u shpreh se ky projekt është unik dhe përmes tij ofrohet më shumë siguri për qytetarët e kësaj komune.

Aliu: Projekti Bashkimi i Qytetit është projekt unik

“Hekurudha bëri edhe një ndarje, po kjo ndarje tashmë nuk do të ekzistoj sepse ne tashmë po fillojmë projekti “Bashkimi i Qytetit”.  Projekti i Bashkimit  të qytetit të Ferizajt përpos që do të mundësoi atë që Ferizajt edhe ferizajasve u shërbeu si një lloj ndalese, dhe ferizajasit nuk duan ndalesa dhe kjo ndalesë po hiqet në mënyrë që të vazhdoj trendi, ritmi dhe dinamika e lartë e zhvillimit të Ferizajt. Është ky pra projekti i “Bashkimit të Qytetit” i cili do jetë projekt unik sepse është i pari i këtij lloji në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij gjatësia e nënkalimit  është 700 metra dhe do të jetë nën pjesën e hekurudhës.    

Bashkimi i Qytetit është një projekt që Qeverisë së Kosovës do t’i kushtojë rreth 4 milionë euro. Punimet që nisën sot, sipas planit dinamik do të zgjasin dy vite, ndërsa kompanitë e kontraktuara për ndërtimin e këtij  projekti madhor janë “Bardhi” dhe “Lindi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat