Dita Ndërkombëtare e Punës Vullnetare, Agim Aliu shërben fëmijët me sindromën Down

Ferizaj

Dita Ndërkombëtare e Punës Vullnetare, Agim Aliu shërben fëmijët me sindromën Down

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 17:37
Agim Aliu shërben fëmijët me sindromën Down

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës Vullnetare, vizitoi Qendrën e Down Syndrome Kosova në Ferizaj, me ç ‘rast shërbeu me pije dhe kafe si simbolikë e punës vullnetare për fëmijët dhe familjarët e personave me sindromën Down.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se edhe para ca muajsh kur ka pranuar kërkesën për mbështetje në hapjen e kësaj qendre, pa asnjë mëdyshje ka vënë firmën e tij për të financuar hapjen e Qendrës së Down Syndrome Kosova në Ferizaj, duke ditur rëndësinë që ka kjo hapësirë dhe këto aktivitete për fëmijët dhe të rriturit me sindromën Down dhe familjarët e tyre.

“Sot jemi në një ditë të veçantë, në ditën e vullnetarëve për ta bërë edhe më të veçantë Ferizajn që në fakt e kanë bërë vetë vullnetarët që merren me punë nga më të ndryshmet dhe jam shumë i lumtur që jam kryetar i qytetit të Ferizajt me njerëz të tillë, vullnetarë të tillë të cilët merren me punë që shpesh institucionet nuk i bëjnë dhe pikërisht janë këta njerëz të veçantë, qytetarët e Ferizajt, organizatat e ndryshme që kanë shprehur vullnetin e tyre që të merren me misione nga më të ndryshme qoftë humanitare, sociale, mjekësore”, tha Aliu.

Drejtorja e Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini Beqiri duke falënderuar të parin e Ferizajt, Agim Aliu për mbështetjen e pakursyer tha se me hapjen e qendrës së Doën Syndrome Kosova në Ferizaj, ky qytet është shndërruar në storie suksesi dhe motiv edhe për komunat tjera që të mbështesin këtë kategori shoqërore.

“Ne si shoqatë për vitin 2018, sukses paraqesim qendrën tonë në Ferizaj. Pjesë e këtij suksesi është edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu bashkë me ekipin që nuk hezituan të mbështesin projektin tonë, një projekt i cili po i trajton në mënyrë të dinjitetshme fëmijët dhe të rriturit me sindromën Down në kuadër të programeve që ka shoqata jonë”, tha Beqiri.

Edhe Eloida e Besniku, anëtarë të Shoqatës Down Syndrome Kosova u shprehën të gëzuar me vizitën e të parit të Ferizajt, Agim Aliu në qendrën e tyre, duke e quajtur mik të shtëpisë dhe mbështetës të projekteve të kësaj qendre.

Në këtë vizitë, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me fëmijët me sindromën Down, punonjësit e kësaj qendre në Ferizaj dhe ekipin e tij, përgatitën kartolinat urimi për festat e fund vitit, si aktivitet i përbashkët në kuadër të kësaj vizite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat