Më shumë se katër vjet qëkur ishte shkarkuar dhe i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës nga Bordi i Përkohshëm i ndërmarrjes ‘Stacioni i Autobusëve’ në Ferizaj, Gjykata Supreme e Kosovës po urdhëron që Fehmi Fejzullahu të kthehet në vendin e tij të punës.
Kësisoj, Gjykata Supreme ka gjetur një varg shkeljesh në vendimet e Gjykatës Themelore të Ferizajt, dhe Gjykatës së Apelit, që kishin refuzuar padinë e Fejzullahut për anulimin e vendimit të datës 30 mars 2014 me të cilin ishte shkarkuar Fejzullahu.
Fejzullahu i cili ishte shkarkuar dhe ndërprerë marrëdhënia e punës me vendimi Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të NPL ‘ Stacioni i Autobusëve”, në Ferizaj, fillimisht i ishte drejtuar Gjykatës Themelore të Ferizajt pasi ishte refuzuar padia e tij, me mjet ankesë çështjen e kishte dërguar edhe në Gjykatën e Apelit, por të dyja shkallët e drejtësisë kishin refuzuar kërkesën e tij.
Përmes avokates së tij, Labinota Qosa-Ilazi i ishte drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykatës kjo që ka gjetur një varg shkeljesh në vendimet e gjykatave më të ulëta.
“Gjykata Supreme vlerëson se gjykatat e instancës më të ulët kanë vlerësuar drejtë gjendjen faktike mirëpo kanë gabuar në zbatimin e të drejtës materiale kur kanë vlerësuar se padia e paditësit është e pabazuar”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Aktgjykimi i Supremes vlerëson se nuk është respektuar ligji i punës në drejtim të ndërprerjes së marrëdhënies së punës ndaj Fejzullahut.
“Në vendimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve për shkarkimin e paditësit nga posti i kryeshefit ekzekutiv dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës së paditësit, nuk është cekur asnjë kusht ligjor i përcaktuar me dispozitën e nenit 70 të Ligjit të Punës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës si dhe arsye për ndërprerjen e marrëdhënies së punës”, shkruhet në aktgjykimin e Supremes.
Vendimi i Supremes, më tej vlerëson se vendimi i Gjykatës në Ferizaj për të refuzuar padinë e Fejzullahut duke u thirrur në Ligjin për Ndërmarrjet Publike, më saktë në nenin 21.1 të këtij ligji, se Bordi i Drejtorëve ka kompetencë që me shumicë të votave ndërpresë marrëdhënien e punës dhe se nuk është i obliguar të japë kurrfarë arsyetimi, është i pabazuar, i papranueshëm dhe i kundërligjshëm si dhe bie ndesh edhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Përveç vendimit për kthimin në vendin e punës, Supremja, në lidhje me çështjen e kompenzimit të pagave të kërkuar nga Fejzullahu, çështjen e ka kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore të Ferizajt duke prishur kështu aktgjykimin e dy shkallëve më të ulëta.
Avokatja e Fejzullahut, Labinot Qosa-Ilazi vlerëson se edhe pse paditësi ka pritur më shumë se 4 vjet për këtë vendim, ky është një rast inkurajues për qytetarët që të luftojnë për të drejtat e tyre në të gjithat instancat e drejtësisë.
“Gjykata Supreme e Kosovës, respektivisht gjyqtarët e kësaj gjykate në shumicën e rasteve kanë treguar se janë ata të cilët me profesionalizmin e tyre vendosin sistemin më të lartë të të gjykuarit drejtë dhe vetëm sipas ligjit”, tha Qosa-Ilazi, raporton kallxo.
Krejt në fund, Qosa –Ilazi, tha se shpreson se e paditura vendimin e Supremes sepse në të kundërtën do të dërgojnë vendimin në procedurë përmbarimore.