Filmat e huaj, kandidatë për Oskar

Filma

Filmat e huaj, kandidatë për Oskar

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 22:05
Oskar

Nga tirania politike tek padrejtësia sociale, filmat e propozuar për “Oscar” në kategorinë e filmave të huaj

Filmat e propozuar për çmimin “Oskar” të këtij viti, në kategorinë e filmit më të mirë të huaj, sjellin tema të forta, prej gjurmës që lënë regjimet totalitare në psikologjinë njerëzore, tek ndarjet social-ekonomike e racore apo pasojat e luftës tek fëmijët e familjet e tyre. Korrespodentja e “Zërit të Amerikës” Penelope Poulou njofton.

"Pas katastrofës naziste, vetëm një artist mund t'u japë njerëzve përsëri ndjenjën e tyre të lirisë. Duke çliruar veten, ju çlironi botën. "

Drama epike “Never Look Away” përqendrohet në udhëtimin personal të Kurt-it, një artist i ri nga Gjermania Lindore, i cili përpiqet të gjejë kuptim përmes artit pasi ka përjetuar vrasjen e anëtarëve të familjes dhe shkatërrimin e vendit të tij gjatë regjimit nazist dhe shtypjes politike nën komunizëm.

Fituesi i çmimit “Oskar” producenti i filmave Florian Henckel von Donnersmarck thotë se diktaturat fillimisht përpiqen të kontrollojnë artin.

"Për shkak se arti mund të ndryshojë realisht mendjet njerëzore, ai mund të ndryshojë zemrat. Por problemi qëndron tek ajo se në momentin që diktatura vë duart mbi artin, ai nuk është më i tillë."

Producenti, i cili niset nga historia e tij personale dhe familjes së tij si subjekt për filmin, tregon se si vetë-mërgimi i karakterit kryesor në perëndimin kapitalist ishte gjithashtu i vështirë.

"Liria e papritur është diçka shumë e frikshme. Është e rrëmujshme! Ju mendoni se të paktën duket të ketë një lloj solidariteti apo dikush që të kujdeset për ty, por çdo ditë është përballje me kaosin dhe dëshpërimin që sjell liria".

Filmi i propozuar për çmimin “Oskar” i Pawel Pawlikowski-t “Cold War”, “Lufta e Ftohtë” i bën jehonë mesazhit të von Donnersmarck-it rreth asaj se si totalitarizmi mund të burgosë psikikën njerëzore. Ngjarjet zhvillohet në Poloninë komuniste. Sikurse Kurti, në filmin “Never Look Away”, personazhet kryesore të “Luftës së Ftohtë”, muzikantët Zula dhe Wiktor-i, janë të ndrydhur nga regjimi komunist. Ata gjithashtu largohen drejt Evropës Perëndimore në vitet 1960. “Lufta e Ftohtë” rrëfen izolimin dhe krizën e identitetit që ndiejnë në perëndim ata që mërgojnë nga Evropën Lindore.

Sipas kritikëve filmi “Roma” kryeson grupin, me 10 emërime për “Oscar”, përfshirë edhe atë për fotografinë më të mirë. Filmi i Alfonso Cuaron-it është një përshkrim nostalgjik i jetës së përditshme në vitet ‘70 në Mexico City, frymëzuar nga kujtimet personale, të një jete si përfaqësues i klasës së mesme dhe ndarjeve racore e klasore. Për të bërë historinë sa më autentike Cuaron-i ka futur aktorë që luajnë për hetë të parë si Yalitza Aparicio, e cila luan personazhin kryesor Cleo-n, një punonjëse shtëpiake e palodhur. Yalitza Aparicio u propozua për çmimin “Oskar” për kategorinë e Aktores më të mirë. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ajo vlerëson kontributin e Cuaronit për të hedhur dritë në punën që kanë bërë punëtorët indigjenë në Meksikë.

"Punonjësit shtëpiakë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në familje, punë e cila nuk njihet. Ai i tregoi botës se ata janë qenie njerëzore, se kanë të drejta dhe duhet të respektohen".

Kandidatë të tjerë për të marrë një çmim “Oskar” në këtë kategori janë “Capernaum” dhe “Shoplifters”.

Personazhi kryesor në filmin e Nadine Labaki-t “Capernaum”, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Liban, është një fëmijë i cili padit prindërit e tij që e kanë sjellë në jetë në një botë kaotike të shkatërruar nga lufta.

Në filmin "Shoplifters", regjisori Hirokazu Kore-eda ofron një përshkrim të thellë të varfërisë ekstreme japoneze përmes një familjeje që jeton në margjinat e shoqërisë.

Pavarësisht se cili film fiton çmimin e lakmuar, të gjithë janë një rrëfim rreth dashurisë, lirisë dhe ndershmërisë personale si antidotë ndaj brutalitetit politik dhe padrejtësisë shoqërore./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat