Një Festival filmi dedikuar gruas, Ema Andrea: Femra nuk duhet të trajtohet si viktimë!

Filma

Një Festival filmi dedikuar gruas, Ema Andrea: Femra nuk duhet të trajtohet si viktimë!

Më: 7 mars 2019 Në ora: 13:27
Ema Andrea

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars, për herë të parë zhvillohet në Shqipëri Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Gruan. 6 filma dhe dokumentarë, vendas dhe të huaj do të shfaqen në kinema. Kineastët bëjnë thirrje, që institucionet të mbështesin aktivitetet në art, që kanë në fokus trajtimin e temës së dhunës ndaj gruas.

Që gruaja të fitojë vendin që i takon në shoqëri, dinjitetin, të drejtën për t’u formuar e për t’u  realizuar në bazë të zgjedhjeve të lira duhet të aktivizohen të gjitha strukturat e shoqërisë. Arti, ndoshta mund të jetë një nga armët e forta të betejës që lufton çdo lloj dhune që përdor si justifikim diferencat gjinore, ndaj kinemaja shqiptare ka vendosur të thotë të sajën. Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Gruas vjen për herë të parë këtë 8 Mars, si një mundësi për të ofruar në këtë kontekst një dritare perceptimi më shumë, falë Zyrës së Un Women në Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë .

“Një festival që vjen si kontribut, por me një gjuhë të re, me gjuhën e filmit që e freskon, e pasuron, dhe e thellon këtë debat”, u shpreh Ilir Butka drejtuesi i QKK-së, gjatë konferencës për mediet duke theksuar se hyrja në këtë aktivitet është e lirë. Aktorja Ema Andrea, një nga artistet që nuk ka hezituar për të dhënë kontributin e saj për sensibilizimin e shoqërisë në tema delikate, si ajo e dhunës ndaj gruas, shprehet se ky aktivitet ofron ndër të tjera mundësinë e përballjes me realitetet të tjera. Për të Festivali bëhet një tjetër “betejë” ndaj mentaliteteve  dhe paragjykimeve që prekin gruan. “Për të drejtën për t’u vlerësuar dhe për të pasur oportunitete të barabarta në të gjitha nivelet”. Festivali, siç artistët theksojnë, bëhet një mundësi e mirë edhe për t’i ftuar krijuesit të reflektojnë rreth tematikave që trajtojnë përmes artit të tyre. 

Ata sugjerojnë që përtej moralizmave, romaticizmit që shpesh rrezikon të kalojë në patetizëm, artistët duhet ta përdorin artin e tyre për t’u fokusuar edhe në shqetësimet reale që ka shoqëria jonë. “Sa më shumë të ndjeshëm të jenë krijuesit, kineastët, regjisorët e skenaristët ndaj atyre problematikave që shqetësojnë publikun, aq më shumë mundësi ka për t’u krijuar një ngjizje, për t’u rritur interesi i publikut ndaj krijimtarisë së tyre”, thekson Butka

Ema Andrea: Ne nuk e fillojmë me art, por e vazhdojmë me të…, me kinemanë!

E ftuar si pjesë e këtij Festivali, që ka në fokus dhunën gjinore është edhe aktorja Ema Andra, e cila ashtu siç theksoi për mediet, për të reaguar ndaj çështjeve të tilla nuk ka pritur asnjëherë që institucionet shtetërore apo organizatat të hedhin hapin e parë. “Kam reaguar si artiste, pasi kam besuar dhe vazhdoj të besoj, se secili prej nesh në punën e tij duhet të bëjë sa mundet për të ndryshuar këtë botë”. 

Ashtu siç edhe është ndjerë nga ana e publikut, aktorja ka qenë aktive ngaherë me grupet e margjinalizaura për të rritur ndjeshmërinë ndaj çështjeve që prekin femrën, përmes gjuhës së artit. “Kam folur gjuhën që njoh, e kam bërë atë që mundja të bëja. Për mua është nder të jem pjesë e aktiviteteve të tilla”. Ema shprehet, se ka ardhur koha që gruaja të mos trajtohet më si viktimë, pasi dhuna nuk bën tjetër veçse gjeneron dhunë. “E në fund të ditës nuk bëhet tjetër veçse na vjen si një qark i mbyllur që rishfaqet  në të gjitha momentet e mundshme… Tek fëmija, tek mashkulli, tek gruaja… E vijon përsëri tek fëmija, mashkulli, gruaja etj., etj.”  Për aktoren, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Gruas është një nga ato aktivitete që të jep mundësinë për të bërë diçka përtej bisedave mes grupeve të caktuara që rrallëherë lënë gjurmë. Është koha e duhur, sipas saj, që femra dhe meshkuj të jenë bashkë për të ndërgjegjësuar komunitetin fillimisht në qytetet e mëdha e mandej për të përçuar zërin edhe në rrethina.

“Ajo që do të kemi mundësi të shikojmë është se problemet e femrës janë sa të lashta në kohë, aq edhe globale. Lufta e mentaliteteve e të drejtës për tu vlerësuar dhe për të pasur oportunitete të barabarta në të gjitha nivelet, nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Mirëpo në vendin tonë tani është bërë më evidente edhe për shkak të shtimit të madh të dhunës, që reflekton se kjo shoqëri është e shqetësuar edhe në depresion”. 

Festivalin aktorja e shikon edhe si një mundësi për t’u përballur me realitetet e tjera që ka në botë. Siç ajo thekson, artistët kudo janë të shqetësuar për një fenomen të tillë. “Jo të gjithë trajtojnë përmes artit të tyre romaticizmin apo moralizma, apo krijojnë sa për të kënaqur egon e tyre. Ka artistë, Artiste të vërteta, siç edhe do të do të shohim në këtë festival, që përmes artit të tyre, kanë aftësinë që të prekin ndërgjegjen, emocionet e publikut me idenë që trajton”. Sipas Emës, gjatë këtij Festivali edhe nëse arrihet të provokohet një mendim ndryshe në publik, atëherë qëllimi është arritur. Ajo shpreson që kjo iniciativë të kthehet në një traditë, duke i dhënë mundësinë artistëve dhe njerëzve të thjeshtë të krijojnë debate.

“Ditën e hënë do të mbahet një forum ku do të diskutojmë me të rinjtë, për problematikat që ka në Shqipëri në kontekstin që po flasim. Një debat që mund të marrë shkas nga filmat, por jo vetëm. Do të diskutohet për atë që hasim në jetën e përditshme”. Diskutime të tilla që kanë në fokus gruan, të drejtat e saj, sipas aktores nuk i përkasin vetëm institucioneve, por të gjithëve. Mbi të gjitha debate të tilla sipas kësaj i përkasin dhe duhet të përfshijnë brezin e ri.

“Kur them brezit të ri e kam fjalën edhe për adoleshentët , veçanërisht për ta. Debati duhet të prekë deri edhe fëmijët, që të mësojnë se cilat janë të drejtat e tyre, si të reagojnë për t’u mbrojtur nëse këto të drejta cenohen. Sepse, kjo është një çështje që ne nuk e fillojmë me art, por e vazhdojmë me të, me kinemanë!”.  Ema uron, që një nismë e tillë të bëhet burim frymëzimi jo vetëm për femrat, por edhe për artistët, për t’i frymëzuar që të prekin përmes artit të tyre problematika që i flasin kohës, pa u ndikuar nga ajo që do t’i pëlqente masës të shihte.

Ilir Butka: Dhuna ndaj gruas, krijuesit të jenë më të ndjeshëm ndaj temave të tilla!

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Gruas, për regjisorin dhe drejtorin e Qendrës Kinematografike vjen për të sjellë një mesazh të fortë, si një domosdoshmëri për të trajtuar edhe përmes kinemasë një temë kaq delikate siç është dhuna me bazë gjinore.

“Ky festival vjen në një moment shumë të veçantë duke qenë se në shoqëri e në medie po gëlon kjo tematikë, që është kthyer në problematikë, për mënyrën sesi femra trajtohet, për pozicionin e saj në shoqëri. Ndaj ky Festival sjell të gjitha kontributet pozitive që mund të jap kinematografia për gruan”.

Sipas Butkës, kinematografia është një nga format e artit që edhe për shkak të gjuhës së saj më të drejtpërdrejtë mund të krijojnë më me lehtësi një impakt emocional, duke ndikuar edhe në krijimin e një kulture. Por një çështje si kjo sipas Butkës, duhet të bëjë të reflektojë edhe krijuesit tanë ndaj temave që duhet të trajtojnë, duke ndalur më shumë tek aktualiteti. Diçka që do të bënte sipas tij të zgjohej edhe interesi ndaj filmit shqiptar. “Sa më shumë të ndjeshëm të jenë krijuesit, kineastët, regjisorët e skenaristët ndaj atyre problematikave që shqetësojnë publikun, aq më shumë mundësi ka për t’u krijuar një ngjizje, për t’u rritur interesi i publikut ndaj krijimtarisë së tyre”. 

Në iniciativa si kjo, që kanë në fokus zhvillimin e shoqërisë, emancipimin dhe të drejtat e grave, regjisori shprehet se do të ishte  i domosdoshëm kontributi i të gjitha instancave. “Shpresoj shumë gjithashtu që institucionet e vendit dhe të huaja që veprojnë në Shqipëri së bashku me shoqërinë civile të bashkëpunojnë për gjetjen e mjeteve financiare në ndihmë dhe në nxitje të prodhimeve audiovizuale, filma të shkurtër, dokumentare, animacion etj, që mund të targetojnë grupe dhe kategori të formimeve dhe moshave të ndryshme të shoqërisë, në përcjelljen e mesazheve të tilla”, shprehet ai.

Takimi në ditën Ndërkombëtare të Gruas bëhet, sipas kineastit, me synimin që ky Festival të pasurohet gjatë viteve të ardhshme dhe me aktivitete të tjera dhe mbi të gjitha të mos humbas qëllimin. “Të mos jetë një ‘festë’ që merr trajtën e piknikut, por një aktivitet që ka në fokus një tematika të rëndësishme… E që do të thotë fjalën e saj përmes gjuhës së pasur të kinematografisë”.

“Un Women”: Një në dy gra në Shqipëri pëson dhunë, të ndryshojmë steriotipet!

Giuseppe Belsito, përfaqësues i “Un Women”, entit të SHBA-së për barazinë dhe punësimin e grave,  u shpreh se Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Gruas do t’i theksoj ndër të tjera audiencës shqiptare se dhuna ndaj grave nuk është një problem, vetëm shqiptar. “Është një problem universal, por fatkeqësisht dhuna ndaj grave në Shqipëri haset më shpesh. Një në dy gra këtu kanë përjetuar një formë dhune”. Përpos kësaj, Belsito foli për rastet e shpeshta të denoncimeve që ka pasur në polici, shkruan shekulli.

“Është raportuar se janë mbi 5000 raste që kanë pësuar dhunë. Në rajonin e Ballkanit Shqipëria rezulton me prevalencën më të lartë të dhunës gjinore”. Një fenomen, që siç edhe ai pohon, është edhe më i lartë në zonat rurale. Në një situatë të tillë sipas përfaqësuesit të “Un Women”, është me rëndësi që të trajnohet jo vetëm policia,  por edhe përfaqësuesit e institucioneve që japin shërbime sociale për gratë që pësojnë dhunë. “Qoftë për ato që janë viktima të dhunës në familje, për të mbijetuarat ndaj dhunës gjinore…, për të gjitha gratë që kanë nevojë në këtë aspekt”. Po aq thelbësore është për të që të merren iniciativa për të ndryshuar steriotipet gjinore. “Steriotipe që hasen kryesisht tek burrat e tek djemtë”.

6 filma shqiptarë dhe të huaj në kinema, hyrja falas

Dita-datës statistikat tregojnë se dhuna ndaj grave nuk është e paktë. 1 në 2 gra në Shqipëri përjetojnë të paktën një formë dhune, fizike, psikologjike apo seksuale gjatë jetës së tyre. Prandaj,  Un Ëomen në Shqipëri, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, organizon për herë të parë “Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Gruan”,  duke pasur  në fokus dhunën me bazë gjinore. Festivali që nisë me 8 Mars, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas sjell 6 dokumentarë dhe filma (me metrazh të gjatë e të shkurtër), nga kineastë vendas dhe të huaj, që do të shfaqen në kinema falas.

Die Fremde (Gjermani)

Filmi “Die Fremde” me regji nga Feo Aladag shqyrton luftën e një gruaje për liri. Një tregim i dhimbshëm për një grua në një marrëdhënie abuzive, e cila jo vetëm që duhet të largohet nga ajo martesë, por edhe nga paragjykimet kulturore. Është vlerësuar me çmimin e Aktores më të Mirë, “Tribeca Film Festival”. Dramë (119 minuta). Shfaqet tek milenium në datë 8 mars, ora 18.00.

Tri dritare dhe një varje (Kosovë)

Në një fshat në Kosovë, mësuesja e shkollës pranon në një intervistë se ajo dhe tre gra të tjera të fshatit janë përdhunuar gjatë luftës. Kur burrat e fshatit e zbulojnë, ata nisin një fushatë urrejtjeje kundër saj. Një pasqyrim i ritualeve që tregojnë pabarazinë gjinore, mungesën e lirisë së fjalës dhe mentalitetin patriarkal. Filmi “Tri dritare dhe një varje” me regji nga Isa Qosja është vlerësuar me çmimin e Kritikës, Festivali i Luksenburgut. Dramë (94 minuta). Shfaqet në kinema milenium, datë 9 mars, ora 19.00.

Jaha’s Promise (Irlandë)

Filmi “Jaha’s promise” me regji nga Patrick Farrelly sjell historinë e betejës së Jahës për të zhdukur praktikat që pothuajse i shkatërruan jetën: martesa e hershme dhe gjymtimi gjenital femëror. Jeta dhe aktivizmi i Jaha Dukureh, Ambasadore e Vullnetit të Mirë e Un Ëomen, e cila në moshën 15-vjeçare u martua me një burrë që nuk e kishte takuar kurrë. Mbi 200 milionë gra në botë jetojnë me pasojat e gjymtimit gjenital, i cili ende praktikohet në 30 shtete. Çmimi i Publikut, Festivali i Dokumentarëve në Irlandë. Dokumentar (80 minuta). Filmi shfaqet në 10 mars, ora 19.00.

Ivan (Slloveni)

Pasi Mara, një grua e re lindi Ivanin, nis një zinxhir ngjarjesh të papritura dhe plot nervozizëm. Mara e gjen veten në një situatë të pazakontë ku duhet të zgjedhë mes të dashurit dhe fëmijës së saj. Një dramë personale e vendosur në Slloveni, por që mund të ndodhë kudo. Çmimi i Jurisë nga Slovenian “Film Critics”. Dramë (95 minuta). Filmi “Ivan” me regji nga Janez Burger shfaqet në kinema në datë 9 mars, ora 17.00.

Ajo (Kosovë)

Për t’i shpëtuar martesës në moshë të hershme dhe për të mbrojtur nënën nga babai i saj agresiv, Zana duhet të marrë një vendim të guximshëm. Filmi flet për dhunën në familje, rolet gjinore dhe traditat e kontrolluara nga meshkujt. Çmimi Special i Jurisë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Kajro. Filmi i Shkurtër (10 minuta). Filmi “Ajo” i More Raçës shfaqet në kinema në datë 9 mars, ora 20.40.

Netizens (SHBA)

“Netizens” ekspozon shtimin e ngacmimeve kibernetike me të cilat ballafaqohen gratë dhe vajzat, nga interneti deri në qoshet më intime të jetës së tyre. Teksa interneti bëhet beteja e ardhshme e të drejtave civile, ky dokumentar ndjek tre gra, objekt i ngacmimit, së bashku me ekspertët ligjorë dhe të tjerë, ndërsa luftojnë abuzimin dixhital dhe përpiqen për barazi e drejtësi në internet. Shfaqur në Tribeca Film Festival. Dokumentar (96 minuta). Filmi “Netizens” me regji nga Cynthia Lowen shfaqet në kinema në datë 11 mars, ora 14.30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat