Artan Korenica me film për Ferdonijen, shpërfaq pritjen e saj

Filma

Artan Korenica me film për Ferdonijen, shpërfaq pritjen e saj

Më: 20 maj 2020 Në ora: 15:39
Artan Korenica me film për Ferdonijen,

Filmat dhe dokumentarët që shpërfaqin dëmet dhe dhimbjet që la lufta e fundit në Kosovë, nuk janë kurrë pak, madje ka prej atyre që mendojnë se nuk mjafton asnjëherë që përmes artit, të vihet në pah ajo që kosovarët përjetuan gjatë luftës.

Së fundi, fotografi i njohur Artan Korenica, ka paralajmëruar një film të metrazhit të shkurtër, ku do të shpaloset një ditë e zonjës Ferdonije Qerkezi. Një ditë vetmie, dhimbjeje e vuajtje të kësaj zonjeje që përjetoi humbje të mëdha gjatë luftës.

Korenica i cili kësaj radhe vjen si regjisor dhe skenarist i këtij filmi të metrazhit të shkurtër, ka treguar  se ky projekt është ideuar qysh moti, dhe se ky film dallon shumë nga filmat tjera që deri tashmë janë realizuar mbi jetën e Ferdonije Qerkezit.

‘Nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur pritet të publikohet ky projekt, pasiqë pretendojmë ta shfaqim njëherë në festivale ndërkombëtare, pastaj edhe në Kosovë’, ka thënë tutje Korenica.

Protagonistja e vetme e këtij filmi është aktorja Arta Muçaj, përmes së cilës do të paraqitet Ferdonija në pritje, në një pritje e cila nuk përfundon kurrë.
Korenica ndër të tjera ka treguar se filmi do të realizohet në shtëpinë e Ferdonije Qerkezit, gjë e cila është aprovuar nga kjo e fundit.

‘Ky projekt dallon shumë nga projektet tjera, ka një skenar ndryshe dhe për mënyrën se si e kam trajtuar këtë temë’, shprehet Korenica.

Secili film zakonisht realizohet për të shpalosur diçka, për të përçuar një mesazh që supozohet të prekë direkt tek publiku. Sigurisht se edhe ky projekt tenton të përçojë mesazhin e vet, i cili sipas Korenicës ky projekt më shumë se që përçon një mesazh, parashtron pyetjen: Ku janë ata që i keni marrë në shtëpinë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat