Leonita Asllani fiton dy role në filmat e producentit zviceran Angelo Borer

Filma

Leonita Asllani fiton dy role në filmat e producentit zviceran Angelo Borer

Më: 22 maj 2020 Në ora: 16:49
Leonita Asllani

Këngëtare, kompozitore, tekstshkruese dhe instrumentiste, Leonita Asllani u bë e njohur për publikun sidomos pas koncertit të saj të parë në Francë në vitin 2017. Ajo po vazhdon karrierën e saj kryesisht në Zvicër, por kësaj radhe na njofton për një tjetër sukses.

Së fundmi ajo ishte e ftuar në emisionin “Karaoke Stube” të cilin e drejton këngëtari i famshëm italian Pierro Esteriore, por ky prezantim doli të jetë me shumë fat për të sepse aty i erdhi edhe një ftesë e re, kësaj radhe për një film.

Asllani tashmë është bërë një nga aktoret e filmit fantastiko-komedi “Tourists and Aliens” që për producent ka aktorin, Angelo Borer, ndërsa regjisor Hendy Buchman. Pas këtij filmi ajo do të ketë një tjetër rol të gjatë në filmin “Torquemada’s curse” me po të njëjtit bashkëpunëtorë.
Leonita ka treguar për KultPlus se si i erdhi ftesa nga Borer.

“Angelo Borer e kam takuar në emisionin e Piero Esteriore, Karaoke Stube Tv, ku ishte mysafir. Pastaj filluam që të bisedojmë, gjatë bisedës më pyeti se a më pëlqen aktrimi, dhe i tregova që kisha dëshirë të merrja pjesë në ndonjë film në të ardhmen por nuk e prita që gjërat të shkojnë në kaheje pozitive kaq shpejtë”, thotë ajo.

Filmi i metrazhit të shkurtë “Tourists and Aliens” është një komedi zvicerane dhe është duke u promovuar në shumë festivale të filmit në botë dhe sipas Leonitës, Netflix tashmë është interesuar për këtë film.
“Në filmin “Tourists and Aliens” roli im është si një arkeologe e cila shkon në një vend për të hulumtuar disa fosile, është një rol më i vogël, por si rol i parë për mua është shumë domethënës dhe sfidues”.

Ndërsa filmi i dytë ku do të luaj Leonita është një film triler që quhet “Torquemada’s curse” ku ka një rol më të gjatë se në filmin e parë. Ky do të jetë një film triler, mister që bazohet në një histori të vërtetë Torquemada ekzistonte në të vërtetë në shekullin 1420 si një Inkuizitor i Madh në Spanjën.

“Në filmin “Torquemada’s curse” kam rolin e një luftëtares e cila lufton ndaj disa demonëve të cilët shfaqen në tokë për pushtimin e gjinisë femërore.”
Filmi “Tourists and Aliens” pritet të përfundojë xhirimet në fund të muajit korrik, ndërsa “Torquemada’s curse” në fund të vitit 2020.

Aktori dhe producenti zviceran Angelo Borer po e promovon aktoren shqiptare në rrjetet e tij sociale dhe si duket janë të kënaqur me lojën e saj.
“Raportet mes meje dhe producentit janë mjaftë të mira shpresoj se do ta përfundojmë filmin me një sukses të madh, atëherë mund të vazhdojmë dhe me filma të tjerë”, thotë Asllani.

Ky rrugëtim i ri për Leonitën është i mirëpritur, por mes këngës dhe aktrimit ajo nuk mund të zgjedhë.

“Realisht unë jam rritë në frymën e artit muzikor dhe vazhdoj të jem aktive në këtë profesion, është e vështirë të zgjedhë mes aktrimit dhe muzikës sepse të dyja janë eksperienca jetësore e që mua më përshtaten shumë dhe më sjellin suksese”, thotë për fund Leonita Asllani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat