Cilët filma nga Kosova ua rekomandon serbëve Arben Zharku?

Filma

Cilët filma nga Kosova ua rekomandon serbëve Arben Zharku?

Nga: D.G. Më: 5 tetor 2020 Në ora: 11:44
Arben Zharku

Politika është gjithmonë pengesë kur bëhet fjalë për lidhjen e njerëzve. Unë do të doja që politikanët të ndiqnin shembullin e njerëzve nga kultura, në atë mënyrë që ata e bëjnë atë - thotë aktori, producenti dhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku, duke iu përgjigjur pyetjes së një lexueseje të gazetës "Danas" të Beogradit, nëse arti dhe politika janë mjete për t'i ndarë apo për t'i lidhur njerëzit, gjatë një interviste "live" në Instagram për rubrikën "Ana tjetër e Kosovës".

I pyetur se cilat janë ngjashmëritë dhe cilat ndryshimet midis kinemave në vendet e ish-Jugosllavisë, Zharku u përgjigj se ai nuk sheh shumë ndryshime. Ai thotë se në filmat nga këto hapësira flitet me të njëjtën gjuhë, se historitë janë të përbashkëta dhe së fundmi, se shumica e profesorëve, njerëzit nga të cilët mësuan, kanë studiuar në Beograd, Sarajevë ose Zagreb. Zharku shtoi se madje edhe mënyra e mësimdhënies në universitete ishte e ngjashme.

I pyetur për të përshkruar krijimtarinë e filmit të Kosovës si drejtor i QKK-së, Zharku theksoi se filmat e mbështetur nga qendra e tij janë shumë kritikë ndaj shoqërisë, por edhe ndaj qeverisë.

- Njerëzit ndonjëherë madje mendojnë se ne jemi një organizatë joqeveritare, jo një organ qeveritar. Mirëpo, pata fatin të punoja me kolegë të mëdhenj në qendrën e filmit dhe gjithashtu të jem shumë i pavarur nga qeveria dhe Ministria e kulturës. Ne gjithmonë kemi pasur mbështetjen e tyre, por ata kurrë nuk kanë ndërhyrë në atë që bëjmë ne. Filmat shumë herë kanë hapur debate të mëdha në shoqëri mbi të drejtat e LGBT-së dhe tema të tjera që konsiderohen tabu në shumë shoqëri. Është e nevojshme të flitet për këtë - tha Zharku.

Ai shtoi se ajo që i pëlqen kur bëhet fjalë për strukturën e qendrës së filmit është që çdo vit kanë një komision të pavarur dhe një juri në të cilën ulen të huajt, të cilët lexojnë skenarët dhe marrin vendim se për cilët filma do të ndajnë fonde. Zharku thotë se mendon se kjo ndihmon në zbulimin e talenteve dhe zërave të ndryshëm që janë shumë kritikë ndaj shoqërisë kosovare, dhe theksoi se ai është shumë krenar për këtë.

Një lexuese e "Danas"-it në Instagram kërkoi nga Zharku që të rekomandojë disa filma kosovarë për audiencën vendase, gjë të cilën ai e bëri.

- Jam i lumtur që mund t'ua rekomandoj disa tituj që duhet të shikojë audienca në Serbi. Një që tashmë është shumë i suksesshëm është "Mërgimi", i cili pati premierën e tij në Festivalin Sundance, më pas në Berlin dhe fitoi në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Është ky një film nga regjisori shumë i talentuar Visar Morina dhe është arritja e tij e dytë. Përveç tij, ka edhe tituj të tjerë që po kalojnë shumë mirë në skenën ndërkombëtare, siç është filmi "Zana" me regji të Antoneta Kastratit, "Shtëpia e Agës" nga Lendita Zeqiraj, “The Flying Circus” (Cirku fluturues) nga Fatos Berisha, i cila është tragjikomedi. Shpresoj që ata të shfaqen në Serbi dhe do të isha vërtet mirënjohës të dëgjoja komentet e audiencës, si dhe atë që kritikët mendojnë për filmat që përmenda - thotë Zharku, transmeton Bota Sot.

I pyetur nëse artistët nga Beogradi dhe Prishtina kanë mundësi të bashkëpunojnë, ai u përgjigj se, kur bëhet fjalë për aktorët, ka shanse më të mëdha për bashkëpunim në teatro. Zharku tha se ka pasur rastin të shohë bashkëprodhime të bëra në teatro.

- Mirëpo, nuk ka shumë në film, sepse, për fat të keq, ne nuk mund të bëjmë më bashkëprodhime midis Kosovës dhe Serbisë. Unë e di që ka aktorë nga Serbia që kanë luajtur në filma të ndryshëm, por unë do të doja që më shumë aktorë serbë të vinin të luanin rolet e serbëve, sepse kur të tjerët e bëjnë këtë, nuk duket shumë mirë - përfundoi Zharku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat