Edhe një film i madh hollywoodian pëson ndryshim të datës së lansimit

Filma

Edhe një film i madh hollywoodian pëson ndryshim të datës së lansimit

Më: 6 tetor 2020 Në ora: 10:43
Filmi “Dune”

Data e lansimit të projektit të shumëpritur të Denis Villeneuve, “Dune”, është shtyrë për disa muaj. Tani ai do të lansohet nëpër kinema kah fundi i vitit 2021.

Filmi fantastiko-shkencor ishte planifikuar të publikohet për publikun e gjerë në dhjetor të këtij viti, por sidoqoftë fansat do të duhet të presin pothuajse pothuajse një vit për ta parë atë, transmeton Koha.

Sipas uebfaqes “Collider”, “Dune” do të vijë nëpër kinema më 1 tetor të vitit të ardhshëm. Ata thonë se vendimi i fundit i studios “Warner Bros.” për ta shtyrë lansimin e filmit “Wonder Woman 1984” deri në Krishtlindje, është njëra prej arsyeve kryesore të caktimit të datës së re të lansimit të këtij projekti.

Traileri i parë i filmit “Dune” të mbushur me skena aksion, ishte publikuar muajin e kaluar dhe u mirëprit nga adhuruesit e filmit anembanë botës.

Me regji të Denis Villeneuve, i njohur për filma të tillë si “Blade Runner 2049” dhe “Sicario”, në këtë projekt të shumëpritur nga publiku luajnë aktorët e famshëm: Zendaya, Rebecca Ferguson dhe Timothee Chalamet.

“Dune” e rrëfen historinë e Paul Atreides, një djalosh i ri me aftësi të jashtëzakonshme, i cili duhet të udhëtojë në një prej planetëve më të rrezikshëm në univers, për ta siguruar të ardhmen e familjes së tij fisnike dhe të mbarë popullit. Por konflikti pason me forcat keqdashëse për kontrollin e një burimi të quajtur “Melange”, i cili kur konsumohet mund ta përmirësojë shëndetin e njerëzve dhe e rrit jetëgjatësinë. Melange po ashtu është jetik për t’i ndihmuar udhëtimet në hapësirë dhe njëkohësisht është produkti më i kërkuar në gjithë universin.

Ky është adaptimi i fundit në ekran të madh i romanit ikonik fantastiko-shkencor i Frank Herbertit, me të njëjtin emër, pas filmit të vitit 1984, i realizuar nga David Lynch.

Në këtë projekt po ashtu luajnë aktorët e tjerë të famshëm: Josh Brolin, Dave Bautista, Jason Momoa, Oscar Isaac, Stellan Skarsgard dhe Javier Bardem.

Shumë filma me buxhet të larët kanë pësuar shtyrje të datës së lansimit, si pasojë e pasigurisë së shkaktuar nga pandemia dhe frikës së arkëtimit të shumave të vogla të të hollave në arkat filmike. Në fillim të javës, vazhdimi i radhës i filmit me agjentin James Bond, “No Time To Die”, pësoi ndryshim të datës së lansimit nga nëntori i këtij viti për në prill të vitit 2021.

Duket se për shkak të performancës së pakënaqshme të projektit të ri të regjisorit Christopher Nolan, “Tenet”, dhe vendimit të studios “Disney” për ta lansuar filmin “Mulan” dirket në platformën digjitale Disney+, studio e tjera filmike po frikësohen t’i lansojnë filmat e tyre me buxhet të lartë, pavarësisht se ata luajnë rol të rëndësishëm për kinematë që t’i mbijetojnë kësaj pandemie.

“Cineworld”, një prej operatorëve më të mëdhenj të kinemave në botë, do t’i mbyll sërish dyert e kinemave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Irlandës, kjo pasi studiot e mëdha filmike i kanë shtyrë lansimet e disa filmave më buxhet të lartë. Si pasojë, llogaritet se rreth 45 mijë njerëz të 787 kinemave të menaxhuara nga kjo kompani në Amerikë, Angli dhe Evropë Qendrore, do të mbesin pa punë.

Portali “NME” ka bërë të ditur se kanë kontaktuar me disa pjesëtarë të stafit të kinemave në Britani të Madhe, të cilët kanë deklaruar se qeveria dhe studiot filmike i kanë lënë të kalben. Sipas tyre, ata kanë mësuar për mbylljen e kinemave përmes rrjeteve sociale, si dhe para tri ditësh e kanë marrë paralajmërimin se do të mbesin pa punë, duke mos pasur fare mundësi për të kontaktuar me shefin e tyre ekzekutiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat