Festivali ‘Dea open air’, mbrëmja gala e çmimeve pa publik

Filma

Festivali ‘Dea open air’, mbrëmja gala e çmimeve pa publik

Më: 16 tetor 2020 Në ora: 18:06
Foto Ilustrim

Ditët e festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea Open Air” kanë vijuar me sukses në projektimin e filmave të huaj, sipas programit.

Nga moti i paqëndrueshëm projektimi i filmave është zhvendosur nga mjediset e Amfiteatrit të Universitetit të Arteve në sallën e UA.

Këtë mbrëmje sipas programit do të organizohet nata gala e ndarjes së çmimeve të edicionit të shtatë të “Dea open air”.

Zyra e shtypit e festivalit njofton se për arsye të intensifikimit të masave mbrojtëse të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadrin e pandemisë, mbrëmja gala e planifikuar të organizohej në natyrë të hapur, në kushtet e motit të paqëndrueshëm do të zhvillohet brenda në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, pa publik.

“Nga autorët, kineastët, të pasionuarit e kinemasë dhe miqtë e Dea-s, ajo do të ofrohet life stream në website-n e festivalit (deafilmfest.al) dhe në adresën e festivalit në Facebook (Dea Film Festival)”, thuhet në njoftim. Sipas njoftimit nga zyra e shtypit e “Dea open air”, ka vijuar konkurrimi në kategoritë filmi me metrazh të gjatë ku morën pjesë filma nga Kosova, Gjermania, Italia, Bjellorusia, Rusia dhe Mal i Zi; filmi i shkurtër me 22 filma nga 13 vende të botës dhe filmi studentor ku kanë marrë pjesë 24 filma nga 10 vende të botës.

“Filmat më të ndjekur kanë qenë ata të konkurrimit kryesor, programi i filmit me metrazh të gjatë, ku deri tani janë shfaqur këto filma: Cirku fluturues- me regji të Fatos Berishës, Kosovë; Boneie & Bonnie- me regji të Ali Hakim, Gjermani; Jerm- me regji të Vladimir Zinkevich, Bjellorusi; Nuk jam vrasës- me regji të Andrea Zaçariello, Itali”, thuhet në njoftimin që vjen nga zyra e shtypit e “Dea open air”. Sonte është mbrëmja e fundit e festivalit që mbyllet në konkurrimin kryesor me filmat me metrazh të gjatë: Guri, gërshëra dhe letra- me regji të Tatiana Lyutaeva, Rusi; Ti e ke natën-me regji të Ivan Slatic, Mal i Zi.

Në programin e filmit studentor: Djali i gështenjtë- Agata Bolansova, Sllovaki; Trashëgimi- Daniel Kazankov, Sllovaki; Në kërkim të gjurmës së elefantit- Katarina Jonisova- Sllovaki 2019; Mëngjesi im është darka juaj- Petra Pantyi, Hungari; Mund të zbrisni që atje- Katerina Hronikova- Sllovaki. Në programin e filmit të shkurtër janë: Rivirgjërim- Elena Beatrice dhe Daniele Lince, Shqipëri e Itali; Candela- Gabriel Carrasco, Spanjë; Roboti do të të mbrojë-Nicola Piovesan, Estoni; Ndal autobusin- David Trujillo, Francë; Haëaii- Jordi Capdevila, Spanjë; Toka thërret Anën- Fernando Bonelli, Spanjë.

Juritë kanë vazhduar punën e tyre online, ku vendimet e tyre do bëhen publike këtë mbrëmje me ndarjen e çmimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat