Chris Pine pritet të luajë në filmin e ardhshëm “Dungeons and Dragons”

Filma

Chris Pine pritet të luajë në filmin e ardhshëm “Dungeons and Dragons”

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 14:30
Chris Pine

Ylli hollywoodian, Chris Pine, është në negociata për ta pranuar rolin protagonist në filmin e ardhshëm “Dungeons and Dragons”. Ky projekt vjen i realizuar nga “Paramount” dhe “eOne” si dhe është adaptim i videolojës së famshme.

Jonathan Goldstein dhe John Francis Daley, të njohur për realizimin e filmit “Game Night”, do ta bëjnë regjinë dhe do ta shkruajnë skenarin e filmit “Dungeons and Dragons”.

Studioja “Paramount” është duke e bashkëprodhuar dhe bashkëfinancuar këtë projekt kinematografik, bashkë me kompanitë “Hasbro” dhe “eOne”. Kjo e fundit është përgjegjëse për distribuimin e filmit në Britani të Madhe dhe Kanada, ndërsa “Paramount” do ta shpërndajë atë në pjesën tjetër të botës.

Puna rreth realizimit të këtij projekti ka filluar para disa vjetësh. Fillimisht ai ishte menduar të realizohet nga studioja “Warner Bros.” dhe aktori Ansel Elgort po konsiderohej për rolin protagonist. Por pas një beteje ligjore ndërmjet kompanive “Sweetpea Entertainment” dhe “Hasbro” rreth të drejtave autoriale, përfundimisht filmi i ishte besuar studios “Paramount”.

Lansimi i filmit “Dungeons and Dragons” ishte planifikuar për nëntor të vitit të ardhshëm, por më pas kjo datë është shtyrë për 27 maj të vitit 2022.

Chris Pine së shpejti vjen në kinema dhe ekranet televizive krahas aktores Gal Gadot, me t’u lansuar filmi me superheronj, “Wonder Woman 1984”, ku ai e përsërit rolin e të dashurit të heroinës Wonder Woman. Filmi lansohet për gjithë shikuesit më 25 dhjetor.

Aktualisht, aktori është duke punuar rreth filmit të ardhshëm të aktores së shndërruar në regjisore, Olivia Wilde, me titull “Don’t Worry Darling”. Në trilerin psikologjik luajnë edhe yjet, Florence Pugh dhe Harry Styles.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat