James Bond Will Return...?

Filma

James Bond Will Return...?

Nga: Avni Jashari Më: 11 tetor 2021 Në ora: 16:19
Avni Jashari

Ishte data 14 nëntor e vitit 2006 kur fillon eksodi i filmave të Daniel Craig i veshur me petkun e agjentit sekret britanik, 007 (James Bond). Jo i mirëpritur nga audienca e gjerë dhe jo karizmatik sikurse paraardhësit e tij e sidomos të famshmit që mbetën ikonë e figurës së James Bond, Sean Conery, Roger Moore e Pirce Brosnan. Thimothy Dalton dhe George Lazenby nuk kishin fat të mirë dhe edhe sot pak personifikohen, ani pse dy filma të interpretuar nga Thimoty Dallton mbesin emblematik me një interpretim jashtëzakonisht të shkëlqyer.

No Time to Die, pra kapitulli i fundit i Daniel Craig, me të cilin prej kohësh kishte vendosur ta mbyllte aventurën e tij të 007 pas 15 viteve, një dramë që për të nuk kaloi as pa dëme fizike, kujtojmë se në filmin e vitit 2015 SPECTRE, kishte përmbyll xhirimet me një këmbë të thyer. Ky pra është fundi definitiv i Craig i veshur me petkun e agjentit 007, okazioni ideal për të nxjerrë një analizë finale dhe ta përdorim ndoshta si pikë fillimi për ti prekur disa momente dhe aspekte të epokës Craig.

Vdekja nuk mund të pres

No Time to Die është një titull pak a shumë si një kartë iluzioniste dhe nëse parafrazojmë shpesh thënien e famshme të James Bond “e kam tërë kohën e botës”, në realitet kjo do të jetë edhe fundi i vuajtjeve të 007. Për tu siguruar se plani i mallkuar i Lyutzifer Safin nuk do të ketë përfundim të suksesshëm, agjenti sekret mbetet në ishull, përderisa ky i fundit shkatërrohet nga raketat e marinës ushtarake angleze, pasi ti ketë thënë lamtumirë të dashurës Madeleine Swann dhe ta ketë marrë konfirmimin nga ajo se është babai i vajzës së saj, Mathilde. Një vendim i dhimbshëm, i cili pak a shumë duket si fitore e Safin-it, i cili në fakt kishte zhvilluar një teknologji që vriste njerëzit me nano-robot të implementuar për ti goditur kodet gjenetike në mënyrë specifike, dhe para se të vdiste kishte infektuar edhe agjentin 007 me parti-celula që do ta vrisnin Madeleine e Mathilde, duke ja pamundësuar të ketë kontakt fizikë me to.

Është një lamtumirë e përhershme, e dhimbshme, por në anën tjetër edhe triumfale. Bondi vdes në paqe me veten e tij dhe me botën e tërë, i vetëdijshëm se mbrapa vetes kishte lënë diçka të mirë, Mathilde, dhe jo vetëm një vijë të gjatë më të vdekur. Licenca për vrasje bëhet ajo që të shpëtoj jetë, me 007 që sakrifikon për të mirën e planetit, pasi e kishte përfunduar vrasjen e fundit, atë të Safinit.

Një evolucion filmik i parë në fillim dhe në fund të këtij filmit. Në fillim si çdo herë klasiku i ‘Gun Barrel’ ku Bondi gjuan drejt në makinë si traditë e çdo filmi të James Bond nga viti 1962, ndërkaq në fund është një tunel që kalojnë Madeleine e Mathilde, në një drejtim të një ardhmërie të sigurt nga sakrifica e një spiuni britanik. Ato vozisin drejt një jete të qetë, por asgjë nuk i mbetet harresës, ajo (Madeleine) vendos ta përqafoj të kaluarën plotësisht, dhe i drejtohet vajzës me një batutë të epokës Craig: “Dua ta tregoj një histori të një njeriu. Emri i të cilit ishte Bond, James Bond”...

Dekonstruktimi i një miti

Qysh në vitin 1995 me debutimin e Pierce Brosnan kishin vendosur që ti jepnin një dridhje ekskluzivitetit duke nxjerr një protagonist ndryshe nga që ishin paraardhësit e tij, si me personazhin e M që mbeti edhe në 4 filmat e Daniel Craig, një grua e hekurt e cila drejton agjencinë më të madhe të spiunazhit britanik, MI6.

Casino Royale, filmi i parë i interpretuar nga Craig, na kthen mbrapa në kohë por jo edhe në rolin e protagonistit. Këtu James Bond-in e shohim ende pa eksperiencë dhe një agjent i cili sapo ishte promovuar në rangun e agjentëve 00, ende emocionalisht dhe fizikisht i brishtë, gjë që këtë nuk e kishim parë në filmat e Bond-it të mëhershëm, është momenti kur Pierce Brosnan (James Bond) në filmin The World Is Not Enough, kur vret të dashurën e tij, Elektra King (Sophie Marceau) pasi e kupton se ajo kishte bërë lojë të dyfishtë me terroristin, Renard (Robert Carlyle), Elektra: “nuk do ta bëje, do të të mungoj”, pasi Bond e qëllon për vdekje i thotë: “Nuk më mungon askush”. Në Casino Royale gjejmë një Bond që ishte i gatshëm ti lë të gjitha për dashurinë, ku rrjedhimisht pasi e kupton se ishte tradhtuar i rikthehet misionit të vet.

E njëjta gjë ndodh me Madeleine: idili në fund të 007 SPECTRE mund të ishte kënga ogurzezë për këtë Bond, por kur Craig zgjodhi të kthehej për një aventurë të fundit, ishte i nevojshëm një truk për ta sjellë atë përsëri në skenë. Një mashtrim tjetër, këtë herë i rremë - Madeleine u krijua nga Blofeld - por po aq e dhimbshme, me ish -007 duke u përpjekur të mbyste dhimbjet e tij me alkool për pesë vjet dhe pastaj të rifillonte zakonet e vjetra, me ose pa përcaktimin zyrtar, që i lejon atij të vras pa u ndëshkuar. Pensioni nuk ka qenë kurrë një opsion i vërtetë, sepse siç thekson Safin, ai dhe Bond janë vrasës: njëri në emër të së keqes dhe tjetri në emër të së mirës, ​​por thellë të dy janë psikopatë që nuk ndalen në asgjë.. dhe kur 007, i rivendosur me qëllim për të eliminuar atë që mbetet nga projekti i Heracles, ndjenja e fundit e njerëzore nga ai hiqet - mundësia për të jetuar në mënyrë paqësore me partnerin dhe vajzën e tij - e cila mund ta kishte larguar atë nga një jetë dhune, por mbetet një mënyrë e vetme për ta nxjerr atë (Lexo: James Bond) jashtë: vdekja.

Spiuni i Errët Ngrihet

Debutimi i Craig vjen në sallat kinematografike një vit e gjysmë pas Batman Begins, një tjetër rizbulim i personazhit që nuk e kishim parë deri atëherë në një rol të tillë. Sikurse Bruce Wayne (Bat Man) i Nolan-it, 007 i imagjinuar për shekullin e njëzet, thyen traditën e një heroi të pamposhtur, duke na sjellë në hipotezën që ai mund ti lë të gjitha anash për ta kaluar pjesën e mbetur të jetës më personin e duhur. Të dytë duket se kanë hequr dorë nga ëndrra e tillë pas ngushëllimit të parë, Rachel Dawes për Bruce, Vespa Lynd për Bondin dhe nuk tregojnë më pasione për një jetë të tillë deri sa takojnë sërisht një person të aftë që ti kuptoj e ti pranoj për të tillë siç janë. Në rastin e Wayne (Bat Man) kjo do të thotë ta inskenoj vdekjen e tij për tu shpërngulur në një jetë private në Evropë, përkrah Selina Kyle, duke ju lënë aleatëve historik indicjet që ta kuptojnë se është mirë dhe plotë jetë. James Bond-it ndërkaq i ndalohet që të plaket përkrah Madeleine dhe e pranon vdekjen, duke e ditur që po lë një trashëgimi të qartë dhe pozitive në personalitetin e Mathilde dhe të kolegëve të cilët do të siguronin mbarëvajtjen e aktiviteteve të MI6.

Ishte përfundimi i vetëm i mundshëm për këtë version të sagës. Një përmbyllje logjike dhe definitive në përputhje me rrugën e personazhit nga 2006 deri më sot. Por si me Star Wars: Rise of Skywalker, i njëjti parim që Episodi IX kishte shprehur në nivelin e marketingut vlen: saga ka mbaruar, por historia do të vazhdojë përgjithmonë. Një koncept që filmi e rikonfirmon me shkrimin klasik në fund të titujve: James Bond Will Return. Do të kthehet, por me qetësi, pasi producentja Barbara Brokoli ka deklaruar se kërkimi për personazhin e ri të krijesës së Fleming-ut do të fillojë vetëm në vitin 2022, duke na lënë pak kohë për tu pajtuar me lamtumirën, me mishërimin e saj të gjashtë zyrtar kinematografik, duke pritur për një shpikje të re që ai ka shumë të ngjarë të marrë parasysh kohët në të cilat jetojmë (Brokoli tha se, duke marrë parasysh Anglinë e sotme, Bond nuk ka pse të jetë i bardhë, por ai gjithmonë do të jetë burrë). Dhe ne nuk po nxitojmë të zbulojmë se kush do të jetë 007 i ri. Siç thuhet edhe në film: ne kemi gjithë kohën në botë...

(Autori i shkrimit është gazetar, njohës i kinematografisë dhe fillimit)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat