"Game of Thrones”, gabimisht në transmetim

Filma

"Game of Thrones”, gabimisht në transmetim

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 12:21
Game of Thrones

Këtë herë nuk është dashur mundi antiligjor i piratëve kibernetikë, por ka mjaftuar një gabim trashanik i vet filialit të HBO-së në Spanjë, për të transmetuar aksidentalisht përpara kohe episodin e gjashtë të sezonit të shtatë të “Game of Thrones”, 4 ditë më herët nga ç’ishte parashikuar.

Episodi u raportua të ishte i disponueshëm për t’u parë “on demand” (kur të duash dhe ku të duash) për abonentët spanjollë për rreth një orë, përpara se të hiqej... Por mjaftueshëm sa për t’u rrëmbyer e për t’u shpërndarë anembanë botës.

Pamjet e episodit të ri u postuan në rrjetet sociale “Reddit”, “Youtube”, “Instagram”, “Twitch” e shërbime të tjera “streaming”, përpara se të zhdukej. Megjithatë, episodi i plotë duket se ka përfunduar në faqet e “torrent”-eve, shumë më shpejt nga përpjekjet e HBO-së për ta zhdukur linkun.

Britanikja “The Independent” garanton se një skedar i këtij episodi, i publikuar në faqen “Mega.nz”, është real e madje edhe HD.

Kjo nuk është hera e parë që seriali i famshëm i rrjetit HBO del përpara kohe. Një episod i sezonit të gjashtë u publikua nga filiali nordik i HBO-së, pak orë përpara se të transmetohej zyrtarisht.

E pavarësisht rrjedhjeve të episodeve, qoftë nga sulmet e “hacker”-ave, ashtu dhe nga gabimet trashanike, duket se HBO-ja ka regjistruar sërish shifra tejet të larta të shikueshmërisë. Vet rrjeti televiziv amerikan nuk ka komentuar mbi këtë gabim të fundit të filialit spanjoll.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat