“Njeriu i zi” shkon në Egjipt

Filma

“Njeriu i zi” shkon në Egjipt

Më: 30 gusht 2017 Në ora: 17:36
Posteri i filmit

Filmi me metrazh të gjatë “Njeriu i zi”, me regji dhe skenar të Gentian Selos, është përzgjedhur ndër shumë filma që të konkurrojë në “Alexandria Mediterranean Film Festival”, që këtë vit është në edicionin e tij të 33-të dhe që është një nga dy festivalet më të rëndësishme të Egjiptit.

Në këtë festival marrin pjesë filma nga i gjithë Mesdheu, e filmi “Black Man” është në konkurrim në sektorin më të rëndësishëm të festivalit, në atë të filmave të gjatë, për çmimin e “Filmit më të mirë”, për çmimin e “Jurisë”, për “Skenarin më të mirë”, atë të “Aktorit më të mirë”, etj..

Ky është filmi i parë i gjatë i regjisorit dhe për realizimin e tij i është dashur jo pak kohë, duke pasur një buxhet të kufizuar.

Ngjarja e filmit, ndryshe nga titulli që shfaqet i errët, fillon me dritë, me një histori dashurie të një djali dhe një vajze, që nën efektin e etheve të nxehta të dashurisë, pa kuptuar, përfshin në jetën e tyre edhe vëllain e vajzës, që infiltrohet pa i pyetur.

Julinda Emiri, Jaho Guma, Klevis Bega, si dhe një personazh tjetër që interpretohet nga vet regjisori, janë pjesë e kastit.

Ka një fije misteri në film, që sipas regjisorit është edhe arsyeja pse zgjodhi të konkurrojë në Egjipt, që njihet si vendi i shumë sekreteve të njerëzimit. Ndërsa premierën për publikun shqiptar, “Black Man” do ta ketë në mars.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat