A ishin veprimet e manjatit të filmit Harvey Weinstein, një sekret i hapur?

Filma

A ishin veprimet e manjatit të filmit Harvey Weinstein, një sekret i hapur?

Më: 7 tetor 2017 Në ora: 17:46
Harvey Weinstein

Për dekada me radhë, Harvey Weinstein ka mbajtur një pozitë të lartë në Hollivud si një nga figurat më të fuqishme të industrisë: një manjat i filmave.

Por emri i Weinstein-it, një refren gjithmonë i pranishëm netët e çmimeve Oscar, u përmend në një tjetër mënyrë të enjten. Gazeta New York Times, në një artikull tronditës, njoftoi se Harvey Weinstein kishte arritur të paktën tetë marrëveshje ligjore me tetë gra lidhur me akuza për ngacmime seksuale. Me akuzat e ngritura nga aktore të ndryshme, duke përfshirë Ashley Judd dhe ish-punonjëset e Weinstein Co dhe ish-kompaninë e tij Miramax, raporti nxorri në pah dekada abuzimesh.

65-vjeçari Weinstein, në një deklaratë me shkrim, tha se do të largohej përkohësisht nga kompania e tij. Por shumë njerëz në Hollywood po pyesin veten nëse largimi i Weinstein-it do të jetë i përhershëm. A janë akuzat kundër tij, ashtu si ato që rrëzuan figurat e Bill Cosby-t dhe Roger Ailes-it?

Përfaqësuesit e Weinstein Co. nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth statusit të manjatit të enjten. Bordi i Drejtorëve të kompanisë do të takohej për të diskutuar të ardhmen e Weinstein-it.

“Nëse ai mund të bëjë ndryshime, nëse ai do të kërkojë falje atëherë unë mendoj se shumë gjëra janë të mundshme” tha Sharon Waxman, themeluese e faqes së internetit The Wrap. “Hollivudi nuk është zyrë publike, dhe nuk kërkohet domosdoshmërisht të zbatohet një klauzolë morale. Është biznes...do të thoja se varet nga vetë ai nëse mbijeton në Hollivud” shtoi Waxman.

Për shkak të raportit të gazetës New York Times, politikanët demokratë që kanë përfituar nga kontributet e Harvey Weinstein-it për fushatat e tyre elektorale kanë njoftuar se do t’i përdorin fondet e dhëna nga ai për të bërë donacione në bamirësi të ndryshme. Senatorët Chuck Schumer, Al Franken, Elizabeth Warren, Cory Booker dhe senatorja Kirsten Gillibrand janë ndër politikanët demokratë që po dhurojnë mijëra dollarë në bamirësi të ndryshme që punojnë për të drejtat e grave.

Këshilltari i lartë i Senatores Gillibrand, Glen Caplin tha:

“Kirsten fton aktivistët e krahut të djathtë që përdorin këtë histori të tmerrshme si mjet politik, për t’u bashkuar me të për të punuar kundër problemit të sulmeve dhe ngacmimeve seksuale në shoqërinë tonë”.

Harvey Weinstein dhe familja e tij kanë kontribuar më shumë se 1.4 milionë dollarë që nga zgjedhjet e vitit 1992, pothuajse të gjithë për Demokratët, sipas Qendrës për Politikë të Përgjegjshme.

Zëdhënësja e Komitetit Kombëtar Demokrat Xochitl Hinojosa tha se partia ka në plan të japë më shumë se 30 mijë dollarë për organizatat Emily's List, Emerge Americadhe Higher Heights, organizata të cilat mbështesin përfshirjen e grave në politikë. Hinojosa tha se shuma ishte për fondet që vetë Harvey Weinstein i dhuroi partisë gjatë fushatës së vitit 2016.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat