Me rastin e 550 - vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar dhe 65-vjetorit të shfaqjes së këtij filmi

Filma

Me rastin e 550 - vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar dhe 65-vjetorit të shfaqjes së këtij filmi

Nga: Skifter Këlliçi Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 15:46
Skënderbeu

Ashtu si çdo fëmijë edhe unë, që në klasat e para të fillores mësova nga prindërit dhe mësueset për bëmat e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbeu dhe e njoha atë edhe nga portretet  që vareshin në muret e klasave të shkollave ku kam mësuar. Mbresa te thella më pati lënë sidomos tregimi I Fan Nolit për kthimin  e Skënderbeut në Krujë, të cilin e kam lexuar me kureshtje të madhe më 1945, kur sapo kisha mbushur shtatë vjeç.  Nëpërmjet rreshtave të para të tregimit “Qindra vjet më parë, kur Shqipëria nxirte vetëm trima dhe luanë…”, përfytyroja Skënderbeun që futej në kështjellën e  Krujës me përkrenaren  e tij në kokën,  fytyrën e ashpër me mjekër e mustaqe të dendura,  sy të përndritur, parzmoren që i mbulonte gjoksin e ngritur, shpatën që i varej deri poshtë këmbëve, dhe të ëmën, Vojsavën  që priste me  aq mall.

Të tillë e përfytyroja dhe në vargjet e Naim Frashërit :

”Krujë, o qytet i bekuar,

Prite, prite Skënderbenë,

 Që që po vjen si pëllumb i shkruar,

Të shpëtojë mëmëdhenë…”.

Por, sado  që fantazia ime prej fëmije kishte krijuar një trajtësim  të ndezur për heroin tonë kombëtar, unë mbeta i magjepsur, kur pashë filmin sovjeto-shqiptar “Skëndëerbeu”. Portreti i mishërur nga  interpretimi i aktorit të njohur sovjetik, Akaki Horava, me kombësi gjeorgjiane, kapërcente çdo përfytyrim tjetër timin dhe të bashkëmoshatarëve  të mi për Skëdërbeun. Madje, edhe kur një ditë vere të vitit 1953, e pashë duke dalë nga hotel “Dajti” në Tiranë, ku së bashku me trupën e aktorëve  të tjerë sovjetikë kishte ardhur për të xhiruar pjesë të rëndësishme të këtij filmi. Dhe kjo, sepse ai atë ditë ishte veshur me rroba të zakonshme vere dhe ndonëse  na kishin thënë se  në atë film ai do të luante rolin e Skënderbeut,  sado që kishte shtat të lartë e fytyrë si të gdhendur, prapë e prapë, ishte shumë larg përfytyrimit  të portretit të heroit tonë legjendar, veshur si luftëtar, ashtu si e përshkruan më sipër Fan Noli…

Por ajo që na bëri atëherë përshtypje, ishte se në këtë film, krahas Naim Frashërit, aktorit tonë të njohur që atëherë, dhe disa aktorëve të tjerë, rolin e  Mamicës, motrës së vogël të Skënderbeut, në këtë film, do të luante Adivie Sharofi, e njohur deri atëherë si valltare e  Filamonisë Shqiptare, nga i cili më pas do të krijohej Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. Për më tepër, sepse Adivia  ishte dhe një nga shoqet e para të motrës sime,  Lilit, edhe ajo valltare e Filarmonisë. Regjisor  i filmit, Sergei Jutkjeviç,  kishte pëlqyer portretin e saj dhe i kushte  besuar këtë rol.

Dhe ja, më 28 nëntor të vitit 1953,  në  ditën e Shpalljes së Pavarsisë, “Skënderbeu”  nisi të shfaqej, së pari në kinematë e Tiranës dhe pastaj të qyteteve të tjera të Shqiprërisë.

Së bashku me shumë moshatarë, nuk munda  ta shihja  këtë film, as ditën e parë dhe as në ditët e tjera. E kishim shumë të vështirë të gjenim bileta. Por një nga shokët tanë, arriti të futej në kinema “17nëntori’ me një… gjysmë bilete. Dhe para shfaqjes arriti t’i shmangej edhe kontrollorit  që po e kërkonte edhe nëpër sallë. Për fat të mirë të tij, u shuan dritat, filmi filloi  dhe ai nuk e zgjati më tutje, aq më tepër që me shtat të imët, shoku ynë ia doli   të fshihej  midis shikuesve.

 Dhe merreni me mend kërshërinë tonë, kur ne gojëhapur dhe me zili  dëgjonin rrëfimin  e tij për përleshjet e luftëtarëve shqiptarë në muret e kështjellës së Krujës, me pushtuesit barbarë turq, dyluftimet e tyre me shpata, pamjet e Skëndërbeut, që drejtonte betejat…

Një nga shokët e tjerë  u rrek dhe ai të futej me gjysmë bilete, por nuk ia hodhi dot biletaxhiut… syçeltësor. Shoku ynë zuri të qante, aq sa një burrë që po futej në kinema,  i tha këtij biletaxhiu, që ta linte se ai ishte…ishte nipi  tij. Madje, i la dhe para nën dorë.

Dhë kështu edhe këtij shoku ia patëm zili, deri sa pas ditësh, së bashku me prindërit, unë dhe im vëlla, Luani, më së fundi mundëm  të shihnim “Skënderbeun’’. Dhe zumë të  imitonim atë dhe luftëtarët e tij me shpata prej druri, duke harruar thuajse krejtësisht  luftëtarë që kishim parë vite të shkuara në filma e huaj, të  para  Luftës  së Dytë Botërore.

U gëzuam që pamë në film edhe Adivien, shoqen e motrës sime, Lili,e cila e kishte parë atë më parë, së bashku me shoqe të tjera, si pjesëtare e valleve të luajtura gjatë xhirimit të  këtij filmit në dasmën e martesës së Skënderbeut me Donikën, rol që luhej nga aktorja  Besa Imami.

Besa , Adivie  Sharofi dhe aktorë të tjerë shqiptarë që morën pjesë në role të tjera më të vogla  në këtë film, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Lec shllaku, Loro Kovaçi, Ndrekë Shkjezi, Marie  Logoreci, Zef Jubani, Aleko Skali, Sokrat Mio, Mihal Stefa… pas shfaqjes së tij me sukses të jashtëzakonshëm, u bënë shumë të njohur dhe të dashur midis qindra mijëra  qytetarëve,  që gjatë nëntorit të vitit 1953 dhe më pas e panë “Skënderbeun”  në kinematë e tërë Shqipërisë.

Gjatë shfaqjes së “Skënderbeut” ne, fëmijët,  dëgjuam se në këtë film, krahas regjisorit të njohur sovjetik Jutkjeviç, kishte punuar  edhe Viktor Stratoberdha, aso kohe ende student shqiptar për kinematografi në Moskë, i cili e kishte çmuar shumë atë…

 Në pranverë të vitit 1956, kur tashmë ishte regjisor në kinostudion “Shqiopëria e Re”, u përhap lajmi se Viktori  ishtë transferuar drejtor… i kinemasë së  Beratit. Arsyeja- sepse kishte mbështetur diskutuesit komunistë në Konferencën e Partisë së Tiranës, që kishin kritikur ashpër udhëheqjen  e lartë, e cila i  kishte krijuar privilegje të mëdha vetës dhe  po shkëputej nga masat e popullit, që jetonte në varfëri. Ndër ta kishte qenë edhe Viktori, që kishte thënë se në Konferenceë  komunistët e guximshëm dhe të ndershëm i kishin thyer hundët Enver Hoxhës.

Para rast të njihesha nga afër me Stratoberdhën, në shtator të vitit 1966, kur u ndodha në Berat. Përkoi ato ditë, kur në kinemanë e  këtij qytetit po shfaqej  “Skënderbeu”. Por tashmë ai nuk ishtë më drejtor i kinemasë, por… punëtor ndërtimi. E vërteta ishte se më 1963, kishte nisur të punonte si regjisor i Estradës  së  Beratit. Dhe atje, në një shfaqje,  midis skeçve të tjera, kishte përfshirë edhe një skeç, në të të  cilin mosrealizimet e planeve të ndërmarrjeve,  i kishte paraqitur në formë… qivuresh, që dërgoheshin për t’u varrosur. Dhe është e kishte pësuar.

Kujtuam episode të “Skënderbeut”…Më tregoi për bashkëpunimin më Jutkjeviçin, rrëfeu edhe episode gazmore me aktorët tanë dhe sovjetikë gjatë xhirimit të filmit. Po nuk e zgjati. Si të më kujtonte se tashmë ishte i deklasuar…  Disa vite më pas përfundoi edhe  burgosur… Pas shëmbjes së diktaturës emigroi në Greqi dhe pastaj në Kanada, ku dhe mbylli sytë  përgjithnjë. “Kinetografia jonë humbi një talent të rrallë”,- do të shkruante  më pas në jë libër kushtuar atij, regjisori i shquar, Kristaq Dhamo.

..Po të kthemi në shtator të vitit  1957… Atëherë kur isha student i fakultetit histori-filologji në Universitetin e Tiranës. Midis studentëve të huaj u njoha edhe me Galina Tregubovën, që vinte të mësonte shqipen nga Universiteti “Lomonosov” i Moskës. Më tregoi se “Skënderbeu” ishte shfaqur me shumë sukses edhe në Moskë dhe qytete të tjera të Bashkimit Sovjetik. Nëpërmjet tij, qytetarët sovjetikë ishin njohur me këtë figurë kaq të madhe legjendare shqiptare  dhe ishin njohur kështu më shumë edhe me  atë periudhe kaq të rëndësishme të historisë së Shqipërisë gjatë pushtimit shumëshekullor turk

Kur filmi u rishfaq në kinematë e Tiranës, e ftova Galinën ta shihnim këtë film së bashku me studentë gjermano-lindorë. ”Keni të drejtë të krenoheni me historinë e vendit tuaj, - më tha një student gjerman Ervn Levin nga Lajpcigu, që më vonë do të bëhej historian i  i vendit të tij..

Ndonese marrëdhëniet e Shqipërisë më Bashkimin Sovjetik, pas vitit 1961, për arsye që dihen, u prishën, filmi “Skënderbeu” vazhdoi të shfaqej në kinematë shqiptare.

Në  mars të vitit vitit 1965 ai po shfaqej në kinema “Partizani” në Tiranë”. Një pasdite takova Naim Frashërin,  që në ketë film luante  rolin e Palit, luftëtar i Skënderbeut. Njiheshim, sepse ai, me aktorë të tjeë të Teatrit Popullor, vinte në Radio Tirana, ku punoja redaktor i emisioneve letrare dhe sportive, për te regjistruar  pjesë të vëna në      Teatrin  Popullor.

 #çuditërisht, me një ndjenjë ndrojtjeje, m’u lut të shkonim të shihnim filmin “Skënderbeu , sepse i vinte rëndë ta shihte vetëm. Pranova me kënaqësi.  Gjatë shfaqjes së filmit  vura re se ishte  i tendosur. Kur po dilnim nga kinemaja, kishte nga ata shikues që  nuk ia ndanin sytë. Madje, njeri edhe e  përqafoi. “#’kënaqësi e madhe për mua të të takoj nga afër,- i tha, - sepse deri tani të kam parë vetëm në skenë. Pali yt  na pëlqen të tërëve”.

 Kur dolëm nga kinemja,  Naimi, i prekur nga fjalët e këtij  shikuesi, më tha: “Më vjen keq që nuk kam luajtur ashtu si duhet në film. Por ishte hera e parë që dilja para kamerës kinemtografike. Sot atë rol do ta luja atë rol shumë më mirë.”

Pas vitit 1967, kur marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën popullore po arrinin  kulmin e “muajit të mjaltit”, për habi “Skënderbeu” zuri  të shfaqej vetëm në kinematë e qyteteve të tjera dhe jo më në Tiranë. Madje pas vitit 1974 nuk u shfaq më. Mbeti i  harruar në arkivat e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Arsyeja, me dukej ishte  se pr. Jusuf Aibali, bashkëshorti i Adivies, pas Plenumit të 4-t famëkeq të KQ të PPSH-së, si shumë intelektualë të tjerë, për shfaqje liberale,  u dënua dhe  intermin…  

   Për brezin tonë që e kishim parë “Skënderbeun” prej vitesh, ishte humbje; po merret me mend se humbje më e madhe ishte për brezin e atyre fëmijëve, që ato vite kishin qenë shumë të mitur, ose nuk kishin lindur ende , të cilët përfytyrimin e Skënderbeut nisën tashmë ta trajtësonin vetëm nga mësimet në tekste shkollore dhe nga portretet  e piktorëve dhe  skulptorëve tanë, nëpër ekspozita kombëtare të arteve figurative, nga të cilat shquhej portreti I skulptotit të njohur Odhise Paskali. Si ne dikur…  

   Duhet te vinte viti 1992, i cili  shënoi edhe shembjen e komunizmit, që “Skënderbeu” të shfaqej  përsëri   dhe  të bëhej i njohur edhe nga brezat që erdhshën,  ndër të cilët edhe djali im. Ai atëherë ishte 10 vjeç. E kam të vështirë të shpreh siç duhet kureshtjen dhe hovëzimin e tij shpirtëror, që e pushtoi, kur  pa “Skënderbeu” në ekranin e televizorit…. Të gjatë, shumë më hijshëm, hijerëndë, bujar  dhe me trup të fuqishëm…E kishte përfytyruar, si brezat tanë të mëparshëm, pra që nuk fliste në gjuhë të huaj, por në shqip, gjuhë që e kuptonin edhe fëmijë , të cilët  ende nuk kishin shkuar në shkollë, pra që ende nuk dinin të lexonin.

 Tashmë “Skëndërbeu” ishte  i gjallë  edhe midis tyre. Por edhe për ne   të rriturit, , baballarët  e  tyre, që e shihnim atë me përmallim, duke rikujtuar aktorët e mëdhenj sovjetikë, sidomos Akaki Horavën,  që në mënyrë të magjishme  na ringjallte  heroin tonë të lavdishëm.

Në 65-vjetorin e  “Skëndebeut”  veç Adivie Sharofit,  aktorët e tjerë të këtij filmi, që  përmenda më sipër, si dhe dhe kompozitori  mirënjohur #esk Zadeja, i cili ka kontribuar në këtë film, krahas kompozitorit sovjetik Sviridonov, nuk janë më në jetë. Kështu ka ndodhur edhe me aktorët sovjetikë, duke përfshirë edhe Horavën.

Por  ata mbeten ende  në jetë, falë filmit legjendar “Skënderbeu”, që më 1954 ka pasur  sukses  të dukshëm edhe në Festivalin e Kanës, më i madhi festival ndërkombëtar i filmit artistik në botë, ku ka fitur disa çmime prestigjoze.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat