Për të dytin vit radhazi, Shoqata e Bankave ka publikuar raportin për vitin 2015 të promovimit të përgjegjshmërisë sociale të korporatës, “Bankat për Shoqërinë”. Raporti ka për qëllim paraqitjen e veprimtarisë së bankave në këtë kuadër, sipas 17 qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të miratuar në vitin 2015 nga Kombet e Bashkuara. I pranishëm në këtë prezantim, kryetari i shoqatës së bankave, Christian Canacaris tha se sektori bankar mbetet i angazhuar për të përdorur praktikat më të mira në bashkëpunim me palët e interesuara.
Canacaris: Ata angazhojnë personelin e tyre në mbështetje të grupeve më të disavantazhuara nëpërmjet masave të qëndrueshme afatgjata dhe ofrimin e produkteve dhe shërbimeve që mbështesin investime në vend.
Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi e vuri theksin te rëndësia e iniciativave të tilla për ti ardhur në ndihmë edhe biznesit të vogël.
Ekonomi: Roli që korporatat e mëdha luajnë duke qenë si flamurtar të sjelljes së mirë ndaj komunitetit të ndihmojë edhe biznesin e vogël, për të vendosur jo vetëm një kod etik, por për të pasur parasysh se ka edhe ai element të vegjël të mjaftueshëm për të ndihmuar zhvillimin e qëndrueshëm.
Në raport thuhet se vetëm për vitin 2015, bankat kanë financuar mbi 1.1 milion euro për aktivitetet me ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm si dhe rreth 200 mijë euro në art, kulturë dhe sport. Aktiviteti u përshëndet edhe nga nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali.