Asnjëherë mes më të mirëve

Formula 1

Asnjëherë mes më të mirëve

Më: 1 mars 2019 Në ora: 15:56
Lewis Hamilton

Asnjëherë mes më të mirëve, madje renditej në vendet e fundit çdo ditë që janë zhvilluar testet në pistën e Montmelo. Një situatë që ka alarmuar kampionin e botës në Formula 1, britanikun Lewis Hamilton, që e sheh se këtë sezon do ta ketë shumë të vështirë. “Në këto momente, Ferrari është më i shpejtë se Mercedes. Mund të pranoj se “kokëkuqja” aktualisht është gjysmë sekondi më e shpejtë se ne për xhiro”, tha Hamilton.

Megjithatë, piloti i Mercedes e merr me filozofi situatën: “Për fat, këto janë vetëm teste dhe nuk japin pikë për Botërorin. Gjëja më e rëndësishme është që të jemi të shpejtë të shtunën, në Melburn, në garën e parë sezonale. Unë besoj se mekanikët do të dinë të rikuperojnë këtë ngërç, për të qenë gati për sfidat e vërteta”, u shpreh britaniku, 5 herë kampion bote.

Gara e parë sezonale është më 17 mars, çka do të thotë se Mercedes ka ende kohë për të punuar e rikuperuar. Madje Hamilton mendon se përveç Ferrari edhe Red Bull e McLaren mund të duelojnë për titull. “Të gjitha skuadrat e kanë ulur diferencën me ne për sa i përket kohëve që japin në pistë. Kjo do të thotë që disa makina mund të bëjnë surprizën këtë sezon. Ky ka për të qenë viti më i bukur i Formula 1 i dekadës së fundit”, tha Hamilton.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat