Gara zhvillohet në Prevallë 

Formula 1

Gara zhvillohet në Prevallë 

Më: 11 maj 2019 Në ora: 10:09

Pas auto sllallomit në Prizren dhe Drage Race në Sllatinë, Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon me garën e parë në disiplinën malore, e cila këtë fundjavë zhvillohet në Prevallë.
Shumë nga garuesit kanë bërë investime të mëdha në veturat e tyre dhe me padurim e kanë pritur garën e parë në këtë disiplinë, e cila është më atraktive dhe me më shumë adrenalinë.
Bardhyl Canolli, Liridon Kalenderi, Valdet Kaçandolli, Blerand Hasanaj, Gazmend Demolli dhe të tjerë synojnë kampionat të suksesshëm, madje nuk i fshehin ambiciet edhe për suksese në gara ndërkombëtare.
Paraqitja në garë bëhet të shtunën për të vazhduar me verifikimin e dokumentacionit dhe kontrollimin teknik.
Pas procedurave tjera të zakonshme, vozitja e parë provuese është në orën 12:30, ndërsa përfundimi i aktivitetit për të shtunën është paraparë në orën 16:00.
Gara zyrtare fillon të dielën në orën 12:00, ndërsa përfundimi po ashtu pritet të jetë rreth orës 16:00.
Federata e Auto Sportit e Kosovës dhe Auto Klubi Prizreni D&G i kanë marrë të gjitha masat që gara të ketë rrjedhë sa më të mirë, ndërsa për të ndodhur kjo, do të asistojnë edhe Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve.
FASJ kërkon mirëkuptim nga qytetarët që aksi rrugor ku zhvillohet gara do të jetë i mbyllur për veturat civile, por gjithsesi do të ketë intervale kohore kur do të mund të kalojnë këtë pjesë të rrugës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat