Mick Schumacher fiton garën e parë në Formula 2 - Bota Sot
Mick Schumacher fiton garën e parë në Formula 2

Formula 1

Mick Schumacher fiton garën e parë në Formula 2

Më: 4 gusht 2019 Në ora: 17:08
Mick Schumacher fiton garën e parë në Formula 2

Mick Schumacher regjistron fitoren e parë në karrierë në Formula 2. Djali i 7 herë kampionit të botës, legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, triumfoi në garën e dytë të Çmimit të Madh të Hungarisë, duke lënë prapa respektivisht pilotët Matsushita dhe Sette Camara. Është herët për të folur, por sidoqoftë 20-vjeçari Mick Schumacher është duke u ngjitur pak e nga pak, në përpjekje për të ecur në gjurmët e babait të tij të famshëm.

Një mision tepër i vështirë, por gjithsesi objektivi për të mbetet katapultimi në botën e Formulës 1. Debutues në këtë kategori dhe i dalë nga Akademia e Ferrarit, Mick Schumacher garon për skuadrën italiane Prema Racing, ekip me të cilin piloti nga Montecarlo, Charles Leclerc, që aktualisht garon për Ferrarin, fitoi titullin në edicionin hapës të kësaj kategorie, në vitin 2017.

Përpara garës në Hungaroring Mick krenohej me vendin e katërt në pistën e Spielbergut, në fundin e muajit qershor, e vlefshme për Çmimin e Madh të Austrisë, ndërkaq aventurën maxhare, në etapën e 8-të sezonale të këtij kompeticioni, 20-vjeçari e nisi nga “pole position”.

Garën e parë e fitoi Nicolas Latifi, ndërsa në të dytën Schumi Jr. startoi mirë dhe regjistroi menjëherë dy xhiro të shpejta, njëra pas tjetrës, duke krijuar shkëputjen e duhur, për të kontrolluar më pas me qetësi garën falë edhe administrimit perfekt të gomave. Edhe kur u vu në vështirësi, pranë fundit, Mick Schumacher zmbrapsi me qetësi sulmet e pilotëve kundërshtarë, sidomos tentativat e pilotit japonez Matsushita, që e përfundoi garën në vendin e dytë, ndërsa i treti u pozicionua braziliani Sergio Sette Camara.

Në klasifikimin e përgjithshëm të këtij aktiviteti kryeson holandezi Nyck De Vries, me 30 pikë pikë më shumë se sa kanadezi Nicholas Latifi, që është djali i biznesmenit me origjinë iraniane, Michael Latifi, që ka investuar plot 270 milionë dollarë te Grupi McLaren. Përsa i përket Mick Schumacherit, me këtë fitore piloti i ri gjerman u ngjit në kuotën e 45 pikëve, në vendin e 11 në renditjen e pilotëve, gjithsesi vlen të përmendet fakti që skuadra me të cilën garon Schumi Jr. nuk është paraqitur aspak mirë sivjet, madje në klasifikim ekipi italian Prema Racing pozicionohet vetëm në vendin e parafundit, me 56 pikë gjithsej.

Pas garës Mick Schumacher u shfaq entuziast dhe tepër i gëzuar, duke pranuar se gara e dytë në Hungaroring ishte një garë fantastike për të. Mick shtoi se e kënaqi pa masë dueli me pilotin nipon Matsushita, sidoqoftë suksesi në pistën maxhare do të mbetet një kujtim i paharruar, në mendjen e pilotit të ri gjerman, por sigurisht edhe një fillim i mbarë, për më tepër në një pistë ku babai i tij numëron 4 fitore në Formula 1, e fundit prej të cilave plot 15 vjet më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...