Brawn: E nisin në Europë me dyer të mbyllura...

Formula 1

Brawn: E nisin në Europë me dyer të mbyllura...

Më: 9 prill 2020 Në ora: 14:36
Brawn: E nisin në Europë me dyer të mbyllura...

Ross Brawn, përgjegjësi kryesor sportiv i botërorit të Formula 1, beson se sezoni i vitit 2020 me siguri do të fillojë në Europë dhe ndoshta me dyer të mbyllura, pas vonesës së shkaktuar nga pandemia e Koronavirusit.

Të martën, Çmimi i Madh i Kanadasë u bë gara e nëntë që u anulua për shkak të virusit. Zyrtarët e F1 janë duke punuar me promovuesit për të krijuar një kalendar të ri në momentin që do të jetë e mundur të garohet përsëri.

Brawn thotë se dëshira e Formula 1 është që njëvendëshet të zbresin në pistë sa më parë të jetë e mundur, për t’iu ofruar fansave argëtim në periudha të vështira, edhe nëse disa nga çmimet e para të mëdha do të organizoheshin pa praninë e publikut.

“Sipas mendimit tonë, më e favorshme është t’i nisim garat në Europë, me dyer të mbyllura. Mund të kemi një mjedis shumë të mbyllur, ekipet do të udhëtonin me fluturime çarter. Do të siguroheshim më parë që gjithçka të testohej dhe të mos kishte rrezik për askënd. Të zhvillosh një garë pa spektatorë është më e mirë sesa të mos kesh garë fare. Duhet të kujtojmë se ka miliona njerëz që e ndjekin sportin të ulur në shtëpi. Të jesh në gjendje të mbash sportin gjallë dhe të argëtosh njerëzit do të ishte një avantazh i madh në këtë krizë që po kalojmë,” – theksoi Brawn.

Më tej Brawn sqaron mënyrën se si mund të rregullohet kalendari.

“Minimumi i garave që mund të kemi në një kampionat botëror, sipas statutit të FIA-s, është tetë. Pra, tetë gara mund të zhvillojmë edhe nëse nisim në tetor. Nëse e fillojmë në fillim të korrikut, mund të bënim një sezon me 19 gara. Do të ishte e vështirë: tri gara radhazi e një fundjavë pushim.

E kemi studiuar të gjithë logjistikën dhe mendojmë se mund të bëjmë një sezon me 18 apo 19 gara nëse fillojmë në fillim të korrikut".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat