Romeo rinovon kontratën me Sauber

Formula 1

Romeo rinovon kontratën me Sauber

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 18:42
Romeo rinovon kontratën me Sauber

Alfa Romeo zgjat kontratën me Sauber, duke ruajtur të drejtën e përfaqësimit me emrin e famshëm të markës italiane gjithashtu edhe për vitin 2021. Falë kësaj marrëveshjeje emri i Alfa Romeo-s do të vazhdojë të shihet edhe nëpër garat e edicionit të 72 të kampionatit botëror të Formulës 1, që do të zhvillohet pra vitin e ardhshëm.

Drejtuesit e prodhuesit të famshëm italian zgjatën kontratën me ekipin Sauber për edhe një tjetër sezon, kështu që Alfa Romeo Racing do të jetë një nga 10 skuadrat që do të garojnë vitin tjetër në kampionatin e Formulës 1. Për hir të së vërtetës Alfa siguroi një marrëveshje të veçantë komerciale me skuadrën zvicerane që në vitin 2018, pikërisht në sezonin kur marka e famshme u rikthye në botën e këtij sporti për herë të parë që nga viti i largët 1987.

Në kampionatin e 70-vjetorit të Formulës 1 skuadra zvicerane Alfa Romeo Racing Orlen garoi me motor Ferrari dhe u përfaqësua në pistë nga veterani finlandez Kimi Raikkonen dhe 26-vjeçari italian Antonio Giovinazzi. Drejtuesit e ekipit nuk kanë konfirmuar akoma përbërjen e skuadrës për sezonin e ardhshëm, megjithatë parashikohet që të mos ketë ndryshime në formacion dhe shumë shpejt pritet që të zyrtarizohet pikërisht dyshja Raikkonen-Giovinazzi për kampionatin e vitit 2021.

Kur kanë mbetur edhe pesë gara për t’u zhvilluar në klasifikimin e përgjithshëm të konstruktorëve për vitin 2020 Alfa Romeo pozicionohet në vendin e tetë, në kuotën e 8 pikëve, duke lënë prapa vetëm dy ekipe: Haas – Racing me 3 pikë dhe Williams – Mercedes që mbyll renditjen pa asnjë pikë.

Drejtuesi i skuadrës Frederic Vasseur deklaroi se të dyja palët kanë arritur një bashkëpunim të tillë pikërisht me synimin për të përfituar në një periudhë afatgjatë dhe sqaroi se kontrata mund të rinovohet edhe për tej sezonit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat