Vettel përshëndetet me Ferrarin

Formula 1

Vettel përshëndetet me Ferrarin

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 11:20
Vettel përshëndetet me Ferrarin

Pas plot 6 vjetësh në radhët e skuderisë Ferrari Sebastian Vettel mbylli përfundimisht historinë e tij me ekipin nga Maranello. Një aventurë e gjatë dhe pa shumë shkëlqim, që nuk i dha Vettel-it aspak sukseset që ai priste në radhët e Ferrrari-t. Në njëfarë mënyre figura e tij është ridimensionuar, sepse pas 4 titujve të fituar me ekipin Red Bull piloti i mirënjohur gjerman dështoi për të përmbushur pritshmëritë e larta të tifozëve të skuadrës së famshme italiane.

Pra nuk duhet shumë për të kuptuar influencën e jashtëzakonshme që ka makina kohët e sotme në Formula 1.

Ferrari nuk është një makinë po aq kompetitive sa Red Bull-i dhe në timonin e makinës së kuqe Vettel e kaloi pjesën më të madhe të kohës, duke kundruar një pilot si Leëis Hamilton të fitojë, ndonëse në momentin e kalimit të tij në radhët e Ferrari-t piloti gjerman kryesonte plot 4-1 me titituj, krahasuar me pilotin britanik në botërorin e pilotëve.

Logjike, pasi e njëjta gjë me shumë gjasa do t’i ndodhë edhe kampionit në fuqi, që ka fituar 6 tituj në 7 vitet e fundit, nëse largohet nga Mercedesi, që konsiderohet me të drejtë edhe si makina absolutisht më fituese në gjithë historinë e Formulës 1. Piloti gjerman u nda me gjithë miqtë dhe pjesëtarët e tjerë të stafit te skuadra e Ferrari-t, me të cilën u shpall dy herë nënkampion bote në vitet 2017 e 2018.

33-vjecari nga Heppenheimi dha një intervistë të gjatë për gazetën zvicerane Blick, ku shpjegoi se bashkë me pjesëtarët e tjerë të stafit dhe skuadrës përballoi pikërisht krizën e sivjetshme të pandemisë së koronavirusit, si dhe krizën e rezultateve. 

Vettel foli gjithashtu edhe për momentin kur iu komunikua edhe vendimi i drejtuesve të skuadrës për të mos rinovuar kontratën ndërmjet palëve. Bëhet fjalë për ditën e 12 majit dhe sipas 4 herë kampionit të botës nuk ishte zgjedhja më e mirë, apo mënyra e duhur për të nisur sezonin.

Sipas Vettel-it vendimi i krerëve të ekipit për të mos rinovuar bashkëpunimin ndërmjet tyre nuk duhet marrë si një pushim nga puna, por thjesht si një dëshirë e drejtuesve për të mos ta konfirmuar sërish. Seb shprehu mërzitjen e tij, për garat e tmerrshme që përjetoi gjatë këtij sezoni, për shkak të gjendjes shumë të dobët të makinës, gjë që konfirmohet më së miri edhe nga vetë klasifikimi i përgjithshëm i konstruktorëve, ku skuadra e kuqe e mbylli vitin në vendin e 6, në kuotën e vetëm 131 pikëve në total në 17 garat e zhvilluara, me një mestare pra prej 8 pikësh për cdo garë, kur dihet maksimumi i pikëve nëse një ekip e përfundon një Cmim të Madh në dy vendet e para është 43 pikë gjithsej. 

Vettel theksoi se ndoshta ky sezon u bë akoma më i vështirë edhe për shkak të vetë pandemisë së koronavirusit. Ai tha se ka kaluar kohë vërtet shumë të mira me finlandezin Kimi Raikkonen, por Vettel shtoi gjithashtu se problemet e ndryshme që hasen në makinë gjatë sezonit të ndihmojnë për t’u formuar qoftë si pilot ashtu edhe si njeri.

Në lidhje me Charles Leclerc Seb e konsideroi 23-vjecarin nga Principata si pilotin absolutisht më të talentuar që ka hasur në 15 vitet e fundit. Piloti gjerman foli edhe për eksperiencën e tij te Ferrari dhe mënyrën se si është kalitur dhe se si ka ndryshuar mendim për shumë gjëra pikërisht falë dijeve që ka përfituar në radhët e skuadrës së kuqe.

Seb nuk beson vërtet se gjatë edicionit të fundit në Formula 1 drejtuesit e Ferrarit favorizuan Leclerc-un, duke i dhënë një makinë më të mirë. Për hir të së vërtetës Charles Leclerc e mbylli sezonin në vendin e 8, në kuotën e 98 pikëve, me afërsisht trefishin e pikëve kundrejt shokut të tij të ekipit, që u pozicionua i 13 me vetëm 33 pikë gjithsej. Vettel shpjegoi se në momentin kur mori vesh se nuk do t’i rinovohej më kontrata me Ferrari-n ai mendoi seriozisht për t’u tërhequr nga garat për vitin 2021, pa përjashtuar madje edhe një tërheqje përfundimtare. Seb rrëfeu se ka shkëmbyer vazhdimisht mesazhe në këto muajt e fundit me kampionin në fuqi të botës dhe ai qartësoi se Lewis Hamilton i telefonoi për ta këshilluar për të mos hequr dorë nga pasioni i tij për garat.

33-vjecari nga Heppenheimi shtoi se është shumë i kënaqur për kalimin e merituar të Mick Schumacher-it në Formula 1, pas titullit të fituar në Formula 2. Ai tha se Mick duhet të bëhet gati për një vit tepër të vështirë në Formula 1, por gjithsesi Seb premtoi se do të bëjë cmos për ta ndihmuar, njësoj sic veproi edhe piloti legjendar gjerman Michael Schumacher me të, për t’i kthyer në njëfarë mënyre familjes nderin e dikurshëm të Schumi-t.

Gara në Abu Dhabi më datë 13 dhjetor ishte edhe e fundit për të me makinën e kuqe, pasi sezonin e ardhshëm ai do të garojë me ekipin Aston Martin – Mercedes, me shok skuadre kanadezin Lance Stroll. Sebastian Vettel konfirmoi për Blick se në momentin e ndarjes me stafin dhe miqtë e tij te Ferrari mbajti një fjalim dhe shkëmbeu kaskën me 23-vjecarin Charles Leclerc.

4 herë kampioni i botës e mbylli aventurën e tij te Ferrari me 14 fitore, duke u renditur i treti në listën e pilotëve më të mirë të skuadrës së kuqe, pas emrave të tillë si Michael Schumacher dhe Niki Lauda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat