Grashtica vend takimi i radhës për dashamirët e auto sportit 

Formula 1

Grashtica vend takimi i radhës për dashamirët e auto sportit 

Më: 11 qershor 2021 Në ora: 22:29
Grashtica vend takimi i radhës për dashamirët e auto sportit 

Për dashamirët e automobilizmit në kryeqytet dhe rrethinë, gara e disiplinës malore që zhvillohet në Grashticë zakonisht pritet me interesim të madh. Në këtë fundjavë, automobilistët tanë do të tregojnë edhe njëherë shkathtësitë e tyre, ndërsa rivaliteti pa dyshim që do të jetë në nivel të lartë.

Të shtunën, duke filluar nga ora 09:00 -10:30 bëhet paraqitja në garë, për të vazhduar më tej me verifikimin e dokumentacionit dhe kontrollin teknik, procedura këto që do të kryhen në servisin e Eurogomës në magjistralen Prishtinë – Shkup, konkretisht në Llapllasellë.

Deri në orën 13:00 pasohet me takimin e parë të Komisionit Sportiv, brifingun me garues dhe publikimin e listës startuese, pas së cilës mbyllet shtegu për veturat civile.

Në orën 13:00 është paraparë nisja e vozitjes së parë testuese derisa 30 minuta pas përfundimit të saj nis vozitja e dytë.

Të dielën, në intervalin kohor 10:00 – 10:30 bëhet paraqitja në garë dhe kontrollimi teknik i jashtëzakonshëm, ndërsa pas procedurave të zakonshme, në orën 12:00 fillon zyrtarisht gara.

Drejtori i garës, Gazmend Gashi, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një garë me rrjedhë sa më të mirë.
“Auto Klubi Prishtina Racing Team, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera relevante, i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe gjithçka është gati që gara në Grashticë të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Gashi.

Gara në Grashticë është e dyta e disiplinës malore për kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat