Raikonen e mbyll me Formula 1 pas 20 vitesh

Formula 1

Raikonen e mbyll me Formula 1 pas 20 vitesh

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 21:58
Raikonen e mbyll me Formula 1 pas 20 vitesh

Kimi Raikonen ka vendosur të tërhiqet nga bota e garave të Formula 1 në fund të këtij sezoni. Piloti finlandez, të cilit i përfundonte kontrata me Alfa Romeo, mendohej se do të provonte një aventurë në një ekip tjetër.

Por ai ka bërë të ditur se do të largohet përfundimisht nga garat kur të mbyllet edicioni. Piloti i cili u shpall kampion bote në vitin 2007 me Ferrarin, e dha këtë lajmërim në një postim në rrjetet sociale.

“Kaq ishte. Ky do të jetë sezoni im i fundit në Formula 1.

Ky është një vendim që kam marrë gjatë dimrit të kaluar. Nuk ishte një vendim i lehtë, por pas këtij sezoni është koha për gjëra të reja. Edhe pse sezoni vazhdon, dua të falënderoj familjen time, të gjitha skuadra e mia, të gjithë personat e përfshirë në karrierën time në gara dhe sidomos të gjithë ju fansave që më keni mbështetur për gjithë këtë kohë. Formula 1 mund të mbyllet për mua, por ka më shumë gjëra për të bërë në jetë që dua t’i përjetoj dhe t’u gëzohem”, shkruante Raikonen në postimin e tij.

Raikonen debutoi me Sauber në vitin 2001 si një emër i panjohur por siguroi menjëherë pikë që në vitin e parë. Ai zëvendësoi Mika Hakinen në sezonin 2002 dhe një vit më vonë mori fitoren e tij të parë në kampionatin të cilin e përfundoi i dyti. Transferimi te Ferrari i solli titullin kampion në vitin 2007, teksa kaloi Luis Hemilton dhe Fernando Alonson me një pikë në finalen dramatike në Brazil.

Ai u shkëput në viti 2010-2011 nga Formula 1 duke provuar gara të tjera, për t’u kthyer me Lotus në 2012, para se të bashkohej përsëri me Ferrarin në vitin 2013. Në vitin 2019 ai u kthye te Sauber që tashmë mbante emrin Alfa Romeo, duke mbyllur karrierën aty ku e kishte nisur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat