Hamilton: E dinte çfarë po bënte

Formula 1

Hamilton: E dinte çfarë po bënte

Më: 12 shtator 2021 Në ora: 19:23
Hamilton: E dinte çfarë po bënte

Çmimi i Madh i Italisë në pistën e Monza në Formula 1, është shoqëruar me polemika të panumërta. Shkak është bërë një aksident i pazakontë ku Luis Hemilton rrezikoi seriozisht jetën, pas një dueli me Maks Verstapen.

Makina e holandezit praktikisht kaloi mbi kokën e tij dhe po të mos ishte për sistemin Halo që është vendosur në makina, mund të regjistrohej një tragjedi.

Kjo ngjarje ka bërë që britaniku të shpërthejë në akuza ndaj Verstapen pas garës.

“Kam pak dhimbje qafe pasi makina më ra në kokë, por do të jem në rregull. Nga ajo që kujtoj, unë po garoja aq shpejt sa mundja, sa i përket kohës isha në kryesim, në ndërrimin e gomave humba rreth dy sekonda. Dola nga bokset, pashë që Maks po afrohej, lashë hapësirë për një makinë, isha para në kthesë, para edhe në kthesën e dytë, pastaj ai ishte sipër meje. Sot thjesht nuk dëshironte të hapte rrugë.

Ai e dinte kur hyri në kthesën e dytë se çfarë do të ndodhte, kur shkeli mbi kordonin, por përsëri e bëri”, ishte akuza e Hemilton.

Nga ana tjetër, Verstapen u përgjigj se Hemilton kishte gabuar duke e shtyrë. “Ne e dinim se do të ishte një garë e afërt në kthesën e parë, m’u desh të shkoja në pjesën e gjelbër. Ai e kuptoi se po e tentoja, vazhdoi të më shtynte. Unë dëshiroja të garoja.

Nuk e prisja të më shtynte, nëse do të më kishte dhënë hapësirën për makinën, ne do të kishim dalë nga kthesa e dytë duke garuar. Më pas nuk kishte më vend, me shtyu në kordon, u prekëm. Vazhdoi të më shtynte kur isha në krah të tij. Duhet që të dy palët të punojnë bashkë për të kaluar një kthesë. Kur njëri nuk ka dëshirë të punojë, çfarë mund të bësh? Nuk do të ndodhë”, ishte përgjigja e Verstapen për incidentin e sotëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat