Në gjurmët e babait, Mick Schumacher kampion i Evropës - Bota Sot
Në gjurmët e babait, Mick Schumacher kampion i Evropës

Formula 1

Në gjurmët e babait, Mick Schumacher kampion i Evropës

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 13:29
Mick Schumacher

Mick Schumacher po ndjek me ritme të shpejta gjurmët e të atit, Michael Schumacher.

Djali 19-vjeçar i legjendës së Formulës 1 u shpall kampion i Evropës në kampionatin F3, titull që e siguroi në pistën e Hockenheimit, aty ku i ati ka fituar 3 gara në Botërorin e Formulës 1 me Ferrarin gjatë karrierës së tij.

Schumacher Jr. e përfundoi i 12-i garën e parë të këtij Çmimi të Madh, por në të dytën paraqitja e tij ishte shumë më e mirë dhe adoleshenti gjerman u rendit në vendin e dytë, pozicion që i mjaftoi për të fituar edhe titullin botëror.

Në fund të kampionatit, 19-vjeçari grumbulloi 329 pikë, duke e lënë rivalin e tij britanik, Dani Ticktum, në kuotën e 290 pikëve.

Gjatë këtij sezoni, fillimi i të cilit ishte shumë i vështirë, Mick Schumacher regjistroi 8 fitore dhe 13 podiume.

Tashmë Mick Schumacher, edhe pse në një moshë shumë të re, fitoi të drejtën për të marrë superlicencën e FIA-s për të kaluar në Botërorin e Formulës 1, por për vitin 2019, me shumë gjasa ai do të garojë në Formulën 2, ose në kampionatin e ri të Formulës 3, që do të bashkohet me kategorinë GP3.

“I jam shumë mirënjohës skuadrës sime, që më dha mundësinë për të përjetuar një eksperiencë të tillë dhe për të realizuar ëndrrën time. Ky titull erdhi falë skuadrës dhe unë ia dedikoj asaj”, tha Schumacher.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera