E enjte, 28 mars 2024
  • Wilder-Fury me revansh në rast britaniku fiton titullin kampion

    Më 1 dhjetor, në stadiumin “Staples Center” të Los Anxhelosit do të zhvillohet dueli për titullin kampion bote në peshën e rëndë në boks mes kampionit në fuqi, amerikanit Deontay Wilder (mban kurorën e kategorisë WBC) dhe sfidantit britanik Tyson Fury. Mediat amerikane bëjnë me dije se në kontratën që dy boksierët kanë lidhur mes tyre është vendosur një klauzolë në favor të Wilder, që dy boksierët të zhvillojnë menjëherë revanshin në rast se ai humbet titullin.

    Kjo klauzolë ka qenë edhe në duelin mes Tyson Fury dhe Wladimir Klitschko, në sfidën që dy boksierët zhvilluan 3 vite më parë, por që në fakt nuk u zbatua kurrë, pasi revanshi nuk u zhvillua asnjëherë (Fury u dëmtua dy herë dhe dorëzoi titujt). Wilder, ashtu si Klitschko, ka frikën se mos e humbet duelin ndaj britanikut të pamposhtur, ndaj kërkon të ketë menjëherë mundësinë për të rimarrë titullin kampion.

    Wilder, 40 fitore e asnjë humbje si profesionist, është favorit për ta fituar këtë përballje, por Fury, 27 fitore e asnjë humbje, ka treguar se mund të befasojë me paraqitjen e tij. Natyrisht që asnjë nga boksierët nuk dëshiron humbjen, por kjo sfidë e 1 dhjetorit mban pezull edhe duelin që fituesi i saj mund të zhvillojë me kampionin tjetër të botës në peshën e rëndë, Anthony Joshua. Ky i fundit shpreson në fitoren e Wilder, për t’u përballur me të në prill, pasi nëse fiton Fury atëherë do të kemi revanshin.