E shtunë, 20 prill 2024
  • Zbulohet një lloj i ri shpendi në zonën Vjosë-Nartë

    Për të dytën herë brenda muajit tetor, lista e shpendëve të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë pasurohet me një lloj të ri.

    Këtë radhë bëhet fjalë për laroshen e kuqërremtë (Tadorna ferruginea).

    Vrojtimi pararendës për këtë lloj në vendin tonë është raportuar nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare në vitin 2017, ku një individ është fotografuar në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Në këtë raportim përmendet se edhe në vitin 2014 është gjetur një individ i vrarë i këtij lloji.

    Raportime të mëhershme, për këtë lloj në vendin tonë pothuajse mungojnë tërësisht edhe pse lloji është i përfshirë në pak lista apo publikime mbi shpendët e Shqipërisë. Kësisoj, ky vrojtim mund të përfaqësojë të tretin në vend për këtë lloj.

    Greqia dhe Bullgaria janë vendet më në perëndim të Evropës ku ky lloj është raportuar si folezues. Laroshja e kuqërremtë ka një shtrirje shumë të gjerë folezimi në të gjithë Azinë, në Lindjen e Mesme si dhe në disa vende bregdetare të Afrikës mbi-Ekuatoriale.

2 / 8