Alves tregon tmerrin me kancerin e Abidal, si i ofroi një pjesë të mëlçisë

Futboll

Alves tregon tmerrin me kancerin e Abidal, si i ofroi një pjesë të mëlçisë

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 14:05
Dani Alves dhe Abidal

Dani Alves ka shpjeguar në dokumentarin “Take the Ball, Pass the Ball”, i cili po transmetohet në #Vamos Movistar Plus, se si e përjetoi lajmin që Abidal ishte me kancer, në vitin 2011:

"Abidal ishte një njeri i madh në dhomën tonë të zhveshjes, e admironim të gjithë si sillej. E kisha humbur tashmë një ish-shok ekipi te Sevilla (duke iu referuar vdekjes së Antonio Puerta, në vitin 2007), pastaj erdhi ky lajm i tmerrshëm. 

Si mund të ndodhte kjo me mua përsëri, edhe një herë tjetër?! Ishte hera e parë që nuk mund ta ndihmoja, sepse asgjë nuk ishte brenda mundësive të mia. Zoti dhe mjekët bënë mrekulli dhe ai jeton mes nesh, madje pa iu larguar futbollit".

Fotoja e Abidal duke ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve shpjegon ndjenjat e skuadrës katalanase në atë sezon, i cili u përmbyll me një gjest të paharrueshëm nga ish-kapiteni Puyol. Vetë Abidal kujton një tjetër episod: "Alves erdhi dhe më tha: Abi, ne kemi të njëjtin grup gjaku dhe jam gati të të jap një pjesë të mëlçisë. Kaq njerëzor është Dani, si askush tjetër”.

Alves ndalet në këtë moment shumë prekës: "Nuk mund ta ndihmoja herën e parë, por tani ishte brenda mundësive të mia, pse jo? I thashë, mos i trego askujt. Unë nuk mendoj se do të më falte, nëse nuk e ndihmoja. Por, ai nuk më lejoi, derisa gjeti një zgjidhje tjetër. Nuk më vjen keq". 

Ndërsa Javier Mascherano kujton: "Mbaj mend se dy ose tri ditë pas lajmit të tmerrshëm, Abidal erdhi në qendrën tonë stërvitore dhe na inkurajoi".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat