Çfarë thotë Ancelotti për Hysajn?

Futboll

Çfarë thotë Ancelotti për Hysajn?

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 17:33
Çfarë thotë Ancelotti për Hysajn?

Na ndajnë vetëm pak ditë nga fundi i vitit, por njëkohësisht dhe hapja zyrtare e afatit kalimtar të dimrit. Në Itali prodhohet vazhdimisht lajm, sidomos kur vjen fjala për ekipe elitare të Serie A. Mes tyre është padyshim dhe Napoli. As më shumë e as më pak, por gjithë vëmendja i kushtohet Elseid Hysajt, i lidhur me një transferim të mundshëm te Çelsi në Angli. Ky transferim është shndërruar në “telenovelë” nëse do të kryhet apo jo, nëse është i mundur apo jo, kush e zëvendëson Hysajn, nëse ky i fundit ikën etj. Mirëpo të gjitha këtyre diskutimeve dhe pikëpyetjeve të ngritura, përgjigjen ua ka dhënë trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti, gjatë konferencës së sotme për shtyp. Shefi i Napolit i ka vënë kapakun gjithë zërave të afatit kalimtar, teksa është shprehur se në janar nuk do të ketë as afrime e as largime nga skuadra. “Askush nuk do të mbërrijë në janar. Lojtarët aktual më kënaqin, janë konkurrues. Nëse do të ketë ardhje do të krijohen probleme në menaxhim, ndërsa një largim i mundshëm do ulte cilësitë”-është shprehur Ancelotti.  Më tej, trajneri i Napolit, u është përgjigjur gazetarëve kur këta të fundit i kanë përmendur Pavard, si një emër i mundshëm për të zëvendësuar Hysaj me shok në krahun e djathtë të mbrojtjes. “Nëse unë them që më pëlqen Pavard, kjo do të ishte mungesë respekti për Hysaj, Malcuit dhe Maksimoviqin, për të cilët jam shumë i lumtur”- tha Ancelotti.  Megjithatë, kjo deklaratë diplomatike e Ancelottit, mund të jetë një lloj kamuflimi për të fshehur lëvizjet, në lidhje me shitjen e Hysajt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat