Hoxha: Feronikeli ka dy rivalë në luftë për titull

Futboll

Hoxha: Feronikeli ka dy rivalë në luftë për titull

Nga: Kemajl Goca Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 19:32
Hoxha: Feronikeli ka dy rivalë në luftë për titull

Vjeshta ka qenë interesante në Superligën e Kosovës në futboll.  Prishtina, Feronikeli dhe Llapi, janë shkëputur nga skuadra tjera! Tri skuadra janë në garë të ashpër në luftë për titullin e kampionit. Prishtina prinë me 40 pikë, një më shumë se Feronikeli që renditet në pozitën e dytë dhe 5 se Llapi, që mban pozitën e tretë. Kjo dëshmon se do të presim një pranverë shumë të nxehtë në mes këtyre skuadrave, se cila do të përfundojë e para në fund të kampionatit!

Çdo gabim qoftë i Prishtinës, qoftë i Feronikelit qoftë i Llapit, do të jetë i kushtueshëm në vazhdim të kampionatit. Feronikeli beson e shpreson se do të marrin kreun e tabelës në stinorin pranveror. Skuadra nga Drenasi nga 17 ndeshje ka regjistruar 12 fitore,  3 barazime e 2 humbje, me goldallim 29:9. Mbrojtësi i majtë i Feronikelit, Ylli Hoxha, ndjehet i lumtur që është në 11-shin më të mirë për vitin 2018.

Kjo e bën edhe më të motivuar për pjesën e dytë të kampionatit, që ta ndihmojë Feronikelin në luftë jo vetëm për titullin e kampionit por edhe për trofeun e Kupës së Kosovës. “Normalisht se ndjehem shumë mirë që jam në 11-shin më të mirë”, tha fillimisht Hoxha për gazetën kombëtare “Bota sot”. “Është shpagim i punës që kam bërë 1 vit të tërë”, shprehet më tej mbrojtësi. Hoxha është optimist për pjesën pranverore, duke pretenduar se do të dalin të parët në renditje: “Jemi pretendentë bashkë me Prishtinën dhe Llapin”. Hoxha e pranon se pranvera do të jetë shumë më e vështirë, kur kihet parasysh edhe diferenca e vogël mes skuadrave që pretendojnë titullin e kampionit.

“Sezoni pranveror është shumë më i vështirë, domethënë më i fortë se ky që kemi lënë pas”, ka thënë futbollisti. Hoxha e vlerëson vjeshtën, sepse sipas tij, ka sjellë lojëra të mira: “Vjeshta na ka sjellë mjaft ndeshje të mira e pozitive”. A ka cilësi më shumë se vitet e kaluara? “Po, është ngritur bindshëm cilësia në dallim nga vitet e kaluara. Kjo u pa edhe gjatë stinorit vjeshtor, ku secila ndeshje është më e fortë se tjetra dhe nuk dihet se kush mund të fiton”, përfundoi Hoxha. Duhet theksuar se Feronikeli është në çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës dhe vlerësohet si favoritë në përballje me Ferizajn, duke pas për bazë edhe fondin e futbollistëve që ka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat