Flamurtari si Luftëtari

Futboll

Flamurtari si Luftëtari

Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 12:46
Flamurtari si Luftëtari

Nuk është aspak e mirë situata te Flamurtari. Ekipi vlonjat mund të përballet me problemet që po kalon skuadra e Luftëtarit. Fillimi i sezonit nisi vrullshëm si çdo herë tjetër në qytetin bregdetar me dëshirën e madhe dhe titullin, objektiv të fshehur. Afrime të bujshëm, nga trajneri Ilir Daja dhe futbollistë të tjerë me emër, kontrata goxha të larta dhe në fund... asgjë! 

Futbollistët nuk janë paguar prej muajsh dhe situata po i del nga duart dhe administratorit Sinan Idrizi. Ky i fundit shfaqet kontraversal në deklaratat e tij, pasi shprehet se nëse dikush tjetër e bën më mirë këtë punë i liron vendin me dëshirë. Aktorët kryesorë, ata të fushës nuk duan të dëgjojnë fjalë boshe, apo leksione, por duan vepra. 

Disa prej titullarëve si Danilo Alvesh apo Tomislav Busic kanë vendosur ultimatume për t'u paguar nga klubi, pasi përndryshe do të tërheqin letrat dhe do të largohen nga qyteti bregdetar. Situata është mjaft e vështirë dhe duket se nuk ka ndonjë reagim të madh nga ana e drejtuesve të klubit. Në rast se nuk merren masa, atëherë trajneri Ilir Daja rrezikon të humbasë disa nga lojtarët kryesorë të skuadrës duke vendosur në pikëpyetje të ardhmen e klubit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat