Murati: Kombëtarja ka shumë pika të dobëta

Futboll

Murati: Kombëtarja ka shumë pika të dobëta

Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 14:45
Murati: Kombëtarja ka shumë pika të dobëta

Edvin Murati u vlerësua, në mbrëmjen e fundvitit të organizuar nga FSHF, me çmimin “Nder i futbollit shqiptar”. Ky çmim erdhi pas një tjetër vlerësimi të bërë nga Presidenti i Republikës Z.Ilir Meta, i cili i ka akorduar titullin “Mjeshtër i Madh”, ish-mesfushorit të kombëtares shqiptare të futbollit. Në një intervistë për Telesport, Murati ka rrëfyer emocionet e vlerësimit me këto dy çmime, ndërsa është shprehur se ato e motivojnë të vijojë punën për të rritur imazhin e Shqipërisë në botë.

“Është gjithmonë kënaqësi, që si Presidenti i Republikës dhe ai i FSHF, të japin një titull. Siç kam qenë në fushë kam dhënë kontributin tim, edhe jashtë fushe jam munduar gjithmonë të prezantojë, që Shqipëria të ketë një imazh shumë të mirë, si me futbollin por dhe në aspekte të tjera të vendit tonë”-shprehet ish-mesfushori kuqezi. 

Kombëtarja në syrin e Edvin Muratit ka vuajtur mungesën e një lideri si Lorik Cana, ndërsa pikën më të fortë të saj e sheh në portë. 

“Është e vështirë të themi realitetin, kur ke një lider si Lorik Cana, kur ke ndryshim trajneri duhet lënë kohë trajnerit që të ambientohet me ekipin. Lojtarët duhet të luajën me njëri-tjetrin sa më shpesh që të njihen ndërmjet tyre. Duhet të ketë më tepër  njohje midis njërit dhe tjetrit”.

“Dihet që pika më e fortë është porta, duke pasur dy portier të mirë si Strakosha dhe Berisha, pastaj pika të dobëta kemi shumë, të them të vërtetën. Ne gjithmonë nuk kemi pasur as Messi as Ronaldo, por kemi luajtur si ekip. Të luajm si ekip, ajo është kryesorja”-tregon Edvin Murati. 

A ka ardhur koha apo jo që ekipin kombëtar ta drejtojë një trajner shqiptar? Sipas ish-mesfushorit kuqezi, ka emra që mundet të drejtojnë ekipin kombëtar, por sipas tij duhet të kenë eksperiencë të madhe në nivele ndërkombëtare. 

“Sigurisht, kombëtarja ka pasur trajner si Hafizi, Zhega. Është normale që do dalin nga shkolla e trajnerëve, por pastaj duhet të kesh një eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare. Nuk është vetëm njohja e futbollit por është psikologjia, janë shumë gjëra që duhet të bëjë njëkohësisht një trajner i madh”. 

Futbolli është pjesë e pandashme e punës së tij, tashmë si menaxher. Murati thotë se kështu është duke ndihmuar edhe shqiptarët në Francë, aty ku jeton dhe vepron, ndërsa mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të ketë konkurrencë, thotë legjenda kuqezi në lidhje me lojtarët. 

“Me vëllain vazhdojmë të jemi të angazhuar. Kemi një kompani menaxheriale ku mundohemi të transferojmë lojtarë në Francë dhe Evropë. Kështu kemi ndihmuar shë shqiptarët. Kosova ka ekip shumë të mirë, sidomos përpara. Nuk duhet të jetë konkurrencë, sepse ne jemi shqiptarë. Kanë marrë lojtarët, prandaj duhet punuar me moshat, që nga ato 13-14 vjeç, që të vijnë më pas në ekipet kombëtare”-përfundon Murati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat