Ish-talenti i Interit shënon si Totti, Roma "i vodhi" një diamant zikaltërve për faj të Spallettit!

Futboll

Ish-talenti i Interit shënon si Totti, Roma "i vodhi" një diamant zikaltërve për faj të Spallettit!

Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 21:18
Nicolo Zaniolo

Ishte 26 qershori dhe vera sapo kishte nisur... Botërori ishte në fazën e fundit dhe disa klube po kryenin manovrat e merkatos për t'u fuqizuar. Interi do ta niste fort duke zyrtarizuar fillimisht De Vrij pak më parë, por sidomos Radja Nainggolan për 2 milionë euro huazim dhe 38 mln euro për t'u paguar në total verën e vitit 2019.

E ndërsa belgu pritej si mbret në Milano, Roma vendoste duart mbi Davide Santon dhe Nicolo Zaniolo. Mbrojtësi firmoste deri në verën e vitit 2022, ndërsa mesfushori edhe 1 vit më shumë, pra 30 qershor 2023. i paguar vetëm 4,5 mln euro dhe, në rast rishitje nga Roma, Interi do të përfitonte 15% të vlerës së shitjes. Numri "22" te Roma dhe një kureshtje e madhe.

Talenti i rritur në Akademinë e Interit dhe që kurrë nuk kishte shkelur në Serie A, ishte basti i drejtorit sportiv Monchi. Shumë kritika nga tifozët e Romës, aq sa u tha se i ishte bërë nder Interit për të rregulluar bilancet.

Gabim! Roma bëri investimin më të zgjuar. U detyrua të përfshinte edhe Santon në këtë operacion, por duke ditur se me Zaniolon, i ndjekur gjatë me ekipin Primavera te Interi, po siguronte një "diamant".

Në vitin 2004, Francesco Totti, sot drejtues te verdhekuqtë, do të shënonte një gol magjik në Serinë A, një parabolë perfekte. Pikërisht ajo parabolë u "përsërit" në Roma-Sassuolo 3-1. Dhe, të shënosh golin tënd të parë në atë mënyrë, kur je vetëm 19 vjeç, atëherë e ardhmja ndoshta premton më shumë nga sa është thënë dhe u mendua.

Nicolo Zaniolo gati sa nuk qau. Në mesfushën verdhekuqe po gjen vend dhe i ka dhënë dy shuplaka si Nainggolanit, ashtu edhe Pastores, që ka përfunduar në stol, edhe pse mbërriti te verdhekuqtë me pompozitet.

Te Interi u nxituan dhe ndoshta e kanë kuptuar, por tani është vonë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat