Askush si Hazard në Premier, Chelsea fiton me vështirësi ndaj Watford

Futboll

Askush si Hazard në Premier, Chelsea fiton me vështirësi ndaj Watford

Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 22:58
Eden Hazard

Chelsea ka fituar me vështirësi 2-1 ndaj Watford në ndeshjen e fundit të “Boxing Day” dhe ka rimarrë vendin e katërt të renditjes së Premier League, një vend që i garanton pjesëmarrjen në Champions League.

Ekipi i Maurizio Sarri-t ka treguar edhe njëherë se varet më tepër sesa duhet nga Eden Hazard, i cili me dopietën e tij është kthyer në lojtarin më të mirë të kampionatit anglez me 10 gola dhe 9 asiste, askush si belgu i magjishëm. Për më tepër, ai ka shënuar golin e 100-të me Blutë e Londrës, duke u bërë vetëm lojtari i 10-të në historinë e klubit që e bën këtë gjë.

Mundësinë e parë të ndeshjes e ka braziliani Willian, por goditja e tij me kokë nuk është e saktë dhe përfundoi jashtë. Chelsea mund të ketë mbajtjen e topit, por mundësitë e pastra për gol mungojnë. Por as Watford nuk arrin të prodhojë diçka për të zhbllokuar rezultatin dhe duhej pritur minuta e 46’ që të tundet rrjeta.

Është Eden Hazard ai që me mjeshtëri driblon portierin dhe shënon me portën e boshatisur pas pasimit të bukur të Mateo Kovacic. Por Chelsea e pëson menjëherë vetëm dy minuta më pas. 

Roberto Pereyra lëshon një predhë nga jashtë zonës dhe e dërgon në rrjetë topin e pakapshëm për portierin Kepa.

Pas pushimit Chelsea mundohet të reagojë dhe ishte përsëri Eden Hazard ai që fiton një penallti dhe e godet po vetë duke rikthyer avantazhin për miqtë. Pas golit Blutë e kontrollojnë ndeshjen megjithëse Watford mundohet të ushtrojë presion.  Aftësia teknike e djemve të Sarri-t ka dalë fitimtare këtë sfidë dhe Chelsea rikthehet në zonën e Champions. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat