Shumë rrallë polemizon

Futboll

Shumë rrallë polemizon

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 10:39
Skënderbeu

Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, shumë rrallë polemizon dhe kur diçka e tillë ndodh, do të thotë që situata është serioze dhe i ka shkuar "ku nuk mban më". Në një intervistë për Panorama-Sport, numri 1 i klubit korçar ka folur për gjithçka, duke nisur nga momenti i vështirë i Skënderbeut e deri tek analistët që sipas tij e sulmojnë klubin kampion në Shqipërisë për shkak se janë "të sponsorizuar" nga Partizani.

KRIZA - "Nuk kam parë kurrë një situatë të tillë, që kur jam në drejtimin e Skënderbeut. Kriza është e qartë për të gjithë, por ju garantoj që nuk ka ardhur për ndonjë problem jashtë fushe. Është krizë sportive, ku kanë ndikuar shumë faktorë, nga fati, arbitrat, forma e dobët e disa lojtarëve e deri tek mungesat e rëndësishme dhe stoli i pakompletuar".

DORËHEQJA E SHEHIT - "Erdhi dhe paraqiti dorëheqjen, pasi mendonte se një ndryshim në stol do ndalte krizën,por krizat janë kalimtare, ndodhin edhe në klubet më të mëdhenj, shihni Realin apo Bajernin".

MERKATOJA - "Nuk mund të them që në verë klubi ka gabuar. Kundërshtarët mobilizohen dyfish kur përballen me Skënderbeun, lojtarët e ardhur duhet të ambientohen dhe të sillen si kampionë, duke përballuar çdo situatë".

ANALISTËT ANTI-SKËNDERBEU - "E di ku e marrin rrogën, nga kush paguhen dhe ku i hanë drekat. Këtu i gjithë problemi është pse mundim Partizanin, e kuptoni çfarë bëhet? Njerëz si Shkëlqim Muça dalin nëpër studio dhe nuk e kanë pranuar Skënderbeun që kalonte 4 ture në Europa League, ndërsa bëjnë parashikuesin, por nuk flasin për ekipet e tjera, se nuk kanë burrëri".

CAS - "Vendimi në CAS do të merret në mars e do të publikohet nga maji, ndaj nuk vjen para qershorit, skuadra nuk ka arsye pse ta ketë mendjen në CAS. Edhe klubi është i qetë dche vazhdon punën normalisht, afron e shet lojtarë. Lojtarët e mi janë mësuar me llafet, sepse jetojmë në një vend ku disa ish-lojtarë mendojnë se futbolli ka marrë fund kur e lanë ata futbollin dhe tani nuk kemi histori".

MERKATO - "Në janar do të bëjmë afrime, jemi në bisedime me 3 lojtarë, mesfushorë e sulmues. Më tepër jemi të fokusuar në tregun e huaj, presim një mesfushor që luan me kombëtaren e vendit të vet".

PAGAT - "Te Skënderbeu lojtaët janë paguar gjithnjë me vonesë, ka qenë politikë e klubit dhe nuk i kemi mbetur borxh askujt. Ky vit mund të jetë shumë herë më i rregullt se çdo vit tjetër".

E ARDHMJA - "Nga Korça nuk iki, çfarëdo që të ndodhë. Besoj te pafajësia e Skënderbeut dhe do të vazhdoj të investoj, siç kam bërë deri tani, duke ndërtuar një akademi që nuk e ka asnjë klub në Shqipëri".

TEFIK OSMANI - "Akuzat e tij? Një keqkuptim, e respektoj dhe e dua fort. Ai ka ikur nga Skënderbeu sepse ndonjëherë bëhet më i mirë sesa duhet. Osmani mori përsipër të tjerët, nuk merrej me veten e tij".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat