Ky është trajneri i Kosovës, 61 vjet pandërprerë ose një jetë me futbollin

Futboll

Ky është trajneri i Kosovës, 61 vjet pandërprerë ose një jetë me futbollin

Nga: Kemajl Goca Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 17:29
Ajet Shosholli

Nuk ndalet dhe nuk ndalet, është i mishëruar deri në pikën e fundit me futbollin! Ky është Ajet Shosholli, 6 dekada me futboll (mbi 60 vjet)! Një jetë me futbollin! Mitrovicasi, që nisi hapat e parë si futbollist në vitin 1957, duke shtegtuar deri te seniorët!  Trajneri i mirënjohur kaloi sfidat të shumta, por vitet e 90-ta, ishin vitet më të errëta kur ishte edhe halë në sy për okupatorin serb. Shosholli tregon se kur nisi karriera e tij si futbollist, si trajner, si drejtor sportiv! Mos të harrojmë, ka qenë kryetrajneri i parë dhe i vetmi shqiptar në Ligën e Parë të ish Jugosllavisë, kur i printe Prishtinës, që atëkohë kishte kapiten Fadil Vokrrin.   

“Në vitin 1957-58 fillova si pionierë i Trepçës, pastaj kalova nëpër të gjitha kategoritë. Në vitin 1962-63 kam qenë pjesë e kombëtares së Kosovës për juniorë, në atë gjeneratë ka qenë edhe i ndjeri Burim Hatipi, pastaj Luan Prekazi, Refik Hydaverdi, ndërsa në vitin 1967 u paraqita për kombëtaren e Kosovës U-21 dhe në KF Trepça, në ekipin e parë. Në vitin 1969 kam luajtur në KF Remont. E kam lënë shumë herët futbollin, në moshën 26-27 vjeçare”, tregon Shosholli për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Pas përshëndetjes nga loja aktive, ka pasur një karrierë të pasur si trajner.

Image

“Zejen e trajnerit e nisa në moshën 28 – vjeçare (1973), në Kosovën e Vushtrrisë, e cila ishte në ligën e parë krahinore dhe vazhdova për dy vite (1975). Në vitin 1975, KF Trepça më angazhon trajner me marrëdhënie pune, ku ishim tre shqiptarë dhe dy serbë. Më të veçantat për mua kanë qenë, normalisht 1977-78 kur jemi inkuadruar në ligën e parë federative, për herë të parë një ekip prej Kosovës, unë isha si ndihmëstrajner. Në vitin 1978, me 24 maj luajtëm në finale të Kupës së Marshall Titos me Rijekën nga Kroacia, në ‘Marakanë’ të Beogradit dhe humbëm pas vazhdimeve me 1:0, ku pësuam në minutën 112-të. Atë ndeshje e kemi udhëheq me tandem. Pastaj me Trepçë jam deri në vitin 1983, kur kalova në KF Vëllaznimin e Gjakovës (1983-84) në Ligën e Dytë federative, grupi i Lindjes. Atë vit kemi qenë të plasuar në vendin tetë dhe plasmani më i mirë për Vëllaznimin, për 14 vite që kishte bërë gara në ligën e dytë federative.  Menjëherë pas këtij viti edhe pse kisha kontratë dyvjeçare me Vëllaznimin, Prishtina u lajmërua, mbledhshin kuadro dhe u angazhova në korrik të vitit 1984 si ndihmës i Vukashin Vishnjevcit. 

Image

Prishtina atëbotë kishte rezultate shumë të dobëta, në nëntor të vitit 1984, kryesia shkarkon Vishnjevcin, edhe me emërojnë si kryetrajner në Ligën e parë, i vetmi dhe i pari shqiptar që udhëheq zyrtarisht një ekip në rangun më të lartë, deri në prill të vitit 1985. Pastaj vjen edhe i mirënjohuri Mirosllav Qira Bllazheviq dhe vazhdoj me punën.  Pas rënies nga Liga e Parë në vitin 1988, në vitin 1989 prapë kryetrajner i Prishtinës në Ligën e Dytë unike, po ashtu edhe në periudhën 1990-1991. Pastaj dihet shkëputja e sportit të Kosovës gjegjësisht e futbollit nga federata jugosllave. Me 15 gusht të vitit 1991, jap dorëheqje nga Shefi i Shtabit Teknik, në një takim në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku në atë takim u zgjodh kryesia, 11 serb dhe 2 turq,  në të njëjtin takim në Kuvendin komunal jap dorëheqje të parevokueshme duke e parë atë përbërje.

Mirëpo, siç dihet politika e saj kohe, bënte represion ndaj popullatës shqiptare, me 15 gusht jap dorëheqje, para kryetarit të komunës së Prishtinës së asaj kohe, Zhika Mitroviq, që udhëhiqte atë mbledhje. Ndeshjen e parë e kishim zhvilluar në Shkup dhe e fituam me 2:1 kundër Ballkanit Stokokomerc, pastaj me 11 gusht nuk shkuam në Prijedor që të luajmë me Rudarin dhe pason 18 gushti në Prishtinë dhe nuk dolëm ndaj Mogrenit. Ditë e enjte (15 gusht, 1991), para ndeshjes me Mogrenin, ishte dorëheqja ime së bashku me ndihmësin tim Shefqet Sinani.

Image

Pastaj futbollistët ditën e nesërmen, futbollistët shqiptar japin dorëheqje, me përjashtim të njërit që mbetet aty. Pas kësaj, të gjitha klubet, si Trepça, Vëllaznmi, Liria e skuadrat tjera japin dorëheqje dhe formohet liga e pavarur e Republikës së Kosovës prej 20 ekipeve. Ajo starton me 13 shtator, në premier luajtën Flamurtari-Prishtina dhe fitojnë ‘flamurtarët’ me 3:2. Më zgjodhën edhe si selektor i parë i kombëtares së Kosovës në vitin, në takimin e parë të bordit me kryetar me Agim Bytyqin.

E mbaj mend kur Gafurr Kabashi me thotë: Ajet, duhesh me pranuar dhe e pranova me gjithë dëshirë dhe kam qenë selektor deri në vitin 1996. Pas tetë muajve, në vitin 1992 ndeshja e parë e kombëtares së Kosovës në Tetovë, me 5 prill, me ekipin e Shkëndijes  (fituam me 4:0, me golat e Ramiz Krasniqit (2), Ibrahim Domit dhe Genc Hoxhës nga 1). Në vitin 1993, turneu javor (11 shkurt deri me 18 shkurt), me 14 shkurt luajtëm ndeshje revyale me Shqipërinë, ku kemi humb 3:1, pastaj u takuam me Albepetrolin me 17 shkurt, finalist i Kupës së Shqipërisë, ku fituam me 3:2. Pastaj vazhdojmë aktivitetin në ligën tonë, me Prishtinën”, tregon Shosholli.

Problemet në Tetovë!

“Në vitin 1995, me kërkesë Shkëndijës, që kishte qëllim inkuadrimin në ligën e parë të Maqedonisë, ata kërkuan që të jem trajner i tyre dhe me lejen e Prishtinës shkova si huazim, ku qëndrova dy vite deri në vitin 1997. Me Shkëndijen u inkuadrova në ligën e parë në vitin 1995-96, me epërsi 30 pikë para vendit të dytë Napredok nga Kërçova. Në ligën e parë, në sezonin vjeshtor e mbarojmë në vendin e gjashtë, në fillim të pranverës, në sezonin e dytë, një ndeshje e montuar në Tetovë me Bregallnicën e Shtipit, ku rezultatin e inskenoi referi i atëhershëm.

Një inskenim, sepse ishim gjithë shqiptarë, me kryesi, me trajnerë e futbollistë dhe kjo u pengonte maqedonasve, na inskenuan humbjen. Pastaj mua më dënuan me 10 mijë marka gjermane dhe me 20 muaj ndalesë ushtrimit të zejes në Maqedoni dhe katër futbollistët kryesorë, si kapiteni Ibrahim Osmani, portieri Muharrem Dosti, golashënues më i mirë Skënder Jonuzi, si dhe mesfushorin Halim Hodaj. Pas atij rasti, pas atij dënimi, kthehem normalisht në Kosovë, vazhdoj me aktivitetin në Prishtinë dhe në vitin 1998, dihet se i ndërpremë garat në Kosovë, shkaku i luftës (një vit e gjysmë)”, tha Shosholli.  

Image

Shosholli dhe Shefqet Sinani

“Në vitin 1999, organizuam një ndeshje humanitare në Tetovë, me futbollistë që ishin refugjatë në Maqedoni dhe me futbollistë që ishin jashtë, që kanë luajtur me Prishtinën, duke iu falënderuar shumë miqve shqiptarë në Tetovë, morëm leje nga ministria e Punëve të Brendshme të asaj kohe që të zhvillojmë ndeshje humanitare.

Pa e ditur se me 12 qershor do të zbarkoi NATO në Kosovë, që koincidoi edhe me zbarkimin e saj. Në atë ndeshje mblidhen afër 12 mijë marka gjermane dhe organizata humanitare ‘El Hilall’ e Tetovës, mjetet i shpërndau për refugjatë të sistemuar në Maqedoni. Prej futbollistëve kanë qenë Ardian Kozniku, Kujtim Shala, Adil Vokrri, Isa Sadriu, Afrim Tovërlani, Muharrem Sahiti, Harun Isa e shumë emra tjerë, ish lojtar të Prishtinës. Pas kthimit prej Tetovës vazhdojmë me Prishtinën, aktivitetin dhe me 23 korrik e bëjmë hyrjen e parë në stadium me të njëjtën reprezentacion të Kosovës. Ishte edhe hapja zyrtare e stadiumit të Prishtinës.  Ishe një kënaqësi, pas luftës, me Prishtinën ishim kampion.

Image

Legjenda e futbollit, i ndjerit Fadil Vokrri dhe Shosholli

Për herë të dytë caktohem selektor në vitin 1999-2001, atëbotë ishte kryetar i FFK-së, Rexhep Abdullahu. Aktivitetin e zhvillojmë në Prishtinë deri në vitin 2008, ku pastaj angazhohem në Trepçën ’89 për dy vite drejtor sportiv (2008-09), në sezonin pranveror 2010 angazhohem si kryetrajner në Vëllaznim dhe arritën në pranverë t’i mbledhim plot 28 pikë edhe pse ishin të fundit me 14 pikë në vjeshtë, në barazh e mundën Besianën e Ertan Xhihiqi, njëkohësisht luajtëm edhe në finale me Lirinë dhe në vazhdime pësuam humbje me 2:1. Kryesorja ishte që shpëtuam nga rënia prej lige. Pastaj vazhdoj me Vëllaznimin edhe për dy vite. Nga viti 2014 jam drejtor i KF Trepçës. Qoftë si trajner qoftë si drejtor, prej fillimit të karrierës nuk kam pas ndërprerje”, përfundoi Shosholli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat