Mes polemikave për racizmin

Futboll

Mes polemikave për racizmin

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 13:14
Ilustrim

Mes polemikave dhe incidenteve të shumta, të regjistruara para dhe gjatë sfidës Inter-Napoli në mesjavë, kampionati italian i futbollit do të luajë sot ndeshjet për vitin 2018, që përkojnë edhe me javën e 19, ose gjysmën e sezonit.

Kështu në orën 12:30, në “Allianz Stadium” do të zbresë Sampdoria, që pas disa javësh me rezultate pozitive, do të kërkojë të ndalë edhe kryesuesit e kampionatit, Juventusin.

Gjithsesi djemtë e Allegrit vijnë pas një barazimi 2-2 në transfertën ndaj Atalantës dhe sot do të kërkojnë rikthimin te fitorja, për të mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2018.

Në orën 15:00 do të luhen plot 7 ndeshje, ku vëmendja do të jetë në ato ku në fushë do të zbresin skuadrat që luftojnë për një vend në zonën Champions, konkretisht Empoli-Inter, Lazio-Torino dhe Parma-Roma.

Që të tre sfidat pritet të jenë mjaft interesante dhe premtojnë rivalitet të fortë për të përcaktuar fituesin, ndërsa në Supersport 5 dhe 6, do të vijnë edhe përballjet Genoa-Fiorentina dhe Sassuolo-Atalanta.

Pas humbjes në “San Siro”, Napoli do të kërkojë rikthimin menjëherë te suksesi, teksa në orën 18:00 do të presë në “San Paolo” Bolognën, në atë që do të jetë ndeshja e fundit për këtë vit, për djemtë e Carlo Ancelottit.

Pa Insignen dhe Koulibaly të pezulluar me nga dy ndeshje, fitorja është një detyrim për napolitanët, në mënyrë që të mos humbasin më shumë terren me kryesuesit e kampionatit, Juventusin.

Në mbrëmje vëmendja do të spostohet në “San Siro”, ku Milani do të presë Spalin, në një sfidë që do të jetë vendimtare për fatin e trajnerit Gattuso, por që mund të jetë e fundit edhe për ndonjë futbollist të kuqezinjve.

Milani vjen pas disa javësh në shterpësi totale, pasi sulmuesit nuk po arrijnë të dalin te goli, ndërsa Higuain duket i karikuar që të lërë gjurmë edhe te kuqezinjtë, para se të bëjë gati valixhet dhe të niset për në Londër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat